27-07-2024

Vdiq mësuesi e veprimtari shumëvjeçar nga Rogova e Hasit, Islam Gashi

Sot pasdite, papritmas u nda nga jeta veprimtari, mësuesi, ish-drejtori shumëvjeçar i shkollës fillore në Rogovë të Hasit, humanisti, e njeriu me virtyte të larta njerëzore, Islam ( Tahir ) Gashi, raporton Gazeta e Prizrenit.

Ai ishte ndër aktivistët më në zë, të kësaj ane, me emrin e të cilit ndërlidhet realizimi i shumë projekteve jo vetëm në këtë fshat, por edhe ato që kanë rëndësi për këtë rajon. Islam Gashi ka gëzuar respekt në rajonin e Hasit dhe Anadrinit.

I ndjeri që nga mosha si gjimnazist ka dhënë kontribut të madh në jetën shoqërore, kulturore, sportive e aktivitete të panumërta.

Ishte ndër themeluesit e parë të klubit të futbollit “Pashtriku” në Rogovë, për shumë vite ishte edhe kryetar i bashkësisë lokale. Ai ka dhënë kontribut të pamasë në rregullimin e infrastrukturës dhe të mirëqenies në rrethinën ku jetoi.

Muaj më parë ai botoi librin kushtuar vendlindjes së tij, monografinë Rogova, fshati im” .

Në publikimet e shpërndara nëpër rrjete sociale, shprehen fjalë respekti për ikjen e tij në amshim.  “Ai ishte një pishtar i humanitetit gjë të cilin ne si komunitet i fshatit Rogovë e falënderojmë përjetësisht dhe i përulemi punës dhe sakrificës që ai ka dhënë për ne”, thuhet ndër të tjera në postimin e faqes “Rogova”.

Ishte pronar i sallonit të dasmave “Arbëri”.

Për aktivitetin deri në momentet e fundit të jetës së tij në moshën  80-vjeçare, dëshmon edhe videoja  e mëposhtme, e transmetuar një ditë më parë nga KEDS Energy, ku flet tashmë i ndjeri, Gashi. /GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.