Vëllai i të ndjerës nga Rahoveci akuzon dhëndrin se ushtronte dhunë për vite të tëra
Tash e një vit është duke vazhduar gjykimi për vdekjen e H.D. nga Rahoveci, derisa i dyshuari kryesor, bashkëshorti i së ndjerës Ilir Haxhiaj, po mbahet në paraburgim, pasi që ende janë duke dëshmuar persona të ndryshëm të ndërlidhur me këtë rast.
Ilir Haxhiaj akuzohet vetëm për veprën “lëndim i rëndë trupor”, edhe pse rrahja brutale në mes të rrugës gjatë qershorit të vitit të kaluar çoi në vdekjen e H.D., 2 javë më vonë, raporton KOHA.
Pas, më shumë se 2 muajsh ndërprerjeje për shkak të pandemisë, këtë të martë është mbajtur seanca e radhës, ku ka dëshmuar vëllai i së ndjerës, Vahajdin Dina. Gjatë dëshmisë së tij, Dina ka treguar për dhunën që motra e tij H.D. kishte përjetuar ndër vite nga bashkëshorti i saj, i akuzuari, Ilir Haxhiaj.
“Në fillim raportet ishin të mira, mirëpo me kalimin e kohës kanë filluar të përkeqësohen, më tepër, meqenëse nuk kanë punuar ne ju kemi ndihmuar për ushqim dhe me të holla. Kur ka ardh motra në vizitë në shtëpinë tonë e kemi pa që kishte lëndime, ishte e rrahur, e për shkak të fëmijëve ne e kemi tejkaluar këtë. Ajo është kthyer në shtëpinë e saj mirëpo më vonë ishte edhe me keq”, ka thënë ai.
I pyetur se për çfarë arsye ata nuk e kanë paraqitur rastin në organet e drejtësisë, Dina tha se këtë nuk e kanë bërë me arsyetimin që të mos shkatërrohet familja.
“Sa here ka ardhur motra, ajo ishte e përgjakur, por ne kemi heshtur për shkak të fëmijëve mirëpo çdo herë, ishte keq e më keq. Nuk kemi ndërmarr asgjë sepse ka pas fëmijë, e motra ka thënë se nuk do që situata të bëhet edhe më keq edhe fëmijët janë ankuar për sjelljet e babait se s’kanë para e s’kanë asgjë në shtëpi”, ka vazhduar vëllai i viktimës.
Mospajtim mes avokatëve të të dyja palëve, pati në përfundim të seancës, lidhur me ftesën për dëshmitarë të tjerë lidhur me këtë rast. Derisa, trupi gjykues në seancën e radhës që do të mbahet më 29 korrik, vendosi të ftojë si dëshmitarë edhe vëllain tjetër të së ndjerës dhe kushërinjtë e të akuzuarit Ilir Haxhiaj