Vepra e dy dëshmorëve nga Suhareka përjetësohen në Tropojë
Në 20 vjetorin e rënies heroike, sot në Tropojë të Shqipërisë u bë shpalosja e pllakës përkujtimore (lapidarit), kushtuar dëshmorëve të kombit: Femi Morina nga fshati Samadraxhë dhe Bashkim Kabashi nga fshati Leshan.
Në këtë manifestim morën pjesë figura të shumta nga të dyja anët e kufirit, ndër ta edhe Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili në fjalimin e tij, ndër të tjerash tha se “dëshmorët, Feim Morina dhe Bashkim Kabashi, e kishin rrugëtimin e njëjtë, ku ngritën lartë vetëdijen kombëtare në masë të gjerë të popullatës”.
Të lindur nga familjet me virtyte të larta kombëtare, ata arritën që të rekrutojnë rreth 400 të rinj nga fshatra dhe komuna tjera të Kosovës që të angazhoheshin në radhët e UÇK-së.
Feimi dhe Bashkimi organizuan një efektiv të UÇK-së me djemtë më të mirë të kompanisë së II-të, të Batalionit të I-rë, të “Brigadës 123” dhe shkuan në Shqipëri për furnizim me armë.
Kjo ditë shënon rënien e tyre, në një rrugëtim i cili e kishte një ëndërr dhe një ideal e që gjithmonë bazohej në një të drejtë historike që rrugëtoi me shekuj.