Kadri Veseli ka kaluar sot nepër një nga shtigjet ku 20 vjet më parë ai dhe shume luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kalonin për të bartur armatim nga Shqipëria për në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit, që ka qenë edhe një nga themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së mblodhi bashkëluftetarë nga zona e Hasit të Prizrenit dhe disa të rinj për ta kaluar sërish shtegun.
Ai vetë kishte kaluar disa herë kufirin bashkë me shumë ushtarë tjerë.
Për disa orë ata ecen maleve dhe kodrave të Pashtrikut. Këtë rrugëtim Veseli e quajti “Shtegu i UÇK-së”, dhe tha se ecja do të jetë tradicionale.
Kjo sipas tij për të kujtuar sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së.
“Sot u ktheva nëpër shtigjet e shkelura nga mijëra ushtarë të lirisë, i shoqëruar nga disa bashkëluftëtarë dhe të rinj. Bëmë homazhe te lapidari i dëshmorëve dhe kujtuam ato kohë të vështira por shumë të lavdishme”.
“Për të kujtuar e nderuar sakrificën e bërë nga ushtarët e lirisë dhe me rastin e 20 vjetorit të çlirimit, kam ideuar përgatitjen dhe markimin në mënyrë profesionale të njërit prej shtigjeve kryesore të përdorura nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës për t’u furnizuar nga Republika e Shqipërisë”.
“Shtegu i UÇK-së” do të bëhet një vend marshimi, traditë edukative e frymëzuese për forcat e armatosura, shkollat, institucionet tjera publike dhe mbarë popullin tonë”, ka shkruar Veseli.