23-11-2024

Veseli e Haradinaj parashihet ta hapin ministrinë e parë në Prizren

Paralajmërimet që Prizreni të bëhet me një sektor qeveritar filluan të konkretizohen. Në objektin që është caktuar të vendoset një pjesë e selisë së parë të një ministrie në qytetin e dytë të Kosovës, tashmë u vendos edhe tabela paralajmëruese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), derisa sipas zyrtarëve transferi i stafit është çështje ditësh, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Kjo tashmë paralajmëron edhe vendosjen këtu, në një kohë të afërt të stafit dhe të ministrit, që po ashtu është nga kjo komunë. Prizreni, që tashmë është Kryeqyteti historik i vendit,  do të bëhet shtëpia e dytë për MKRS-në, një pjesë e të cilës do të transferohet nga Prishtina.

Këtu parashihet të zhvendoset një pjesë e kabinetit përfshirë, Departamentin e Inspektoratit, i cili është themeluar këtë vit, Departamentin e Trashëgimisë Kulturore si dhe një pjesë e Departamentit të Kulturës,

Samir Hoxha, këshilltar i  zyrtarëve të MKRS-së, ka thënë për “GazetaePrizrenit.net” se tashmë është çështje ditësh, kur një pjesë e stafit do të vendoset në Prizren. “Do e organizojmë një ceremoni në të cilën do jenë të ftuar kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryeministri Haradinaj”, ka thënë ai.

Dikasteri i parë qeveritar, një pjesë e të cilit  kalon jashtë kryeqendrës, për t’u vendosur në qytetin që ka monumente të shumta kulturo-historike, është përcaktuar të vendoset në një objekt të mbrojtur, në qendrën e qytetit, në “shatërvan”.  Pas luftës, aty ishte vendosur  Drejtoria e Arsimit, që tashmë është vendosur në lagjen “Ortakoll”./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.