Veseli: Ligji për Vlerat e Luftës do t’i ndalojë abuzimet me listat e veteranëve
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se shumë shpejt do të miratohet Ligji për Vlerat e Luftës së UÇK-së, ku do të caktohet një datë për të gjithë dëshmorët.
Ai ka thënë se, me anë të këtij ligji, Kosova do të mbrojë dinjitetin e sakrificave të popullit për liri.
Ndërkaq sipas tij, luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të martirëve, do t’u garantohet me ligj dinjiteti.
Veseli në një postim në Facebook ka shkruar se, dinjiteti i UÇK-së nënkupton edhe që abuzuesit me lista të veteranëve të mos munden që edhe më tutje ta dëmtojnë nderin e luftës sonë për liri dhe buxhetin e shtetit.
“UÇK është vlerë sublime e kombit tonë, prandaj nuk do të lejojmë që emri dhe nderi i saj të njollosen, as nga armiqtë tanë, e as nga profiterët meskinë. Ligji për Vlerat e UÇK-së, po ashtu do ta rregullojë përfundimisht çështjen e Ditës Kombëtare të Dëshmorëve të Lirisë. Gjithashtu edhe themelimin e Muzeut Kombëtar të Luftës Çlirimtare. Gjithmonë krenar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkrur ai.