Vetëvendosje kërkon llogari nga ekzekutivi në Prizren për borxhet e paarkëtuara
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit në vazhdimin e seancës së tetë të rregullt të këtij viti kanë miratuar raportin për llogaritë e arkëtueshme, të cilat i afrohen shumës prej 20 milionë eurove, e që janë grumbulluar prej vitit 2000 deri më sot.
Me këtë rast, këshilltarët kanë shprehur kritika për mospraninë e kryetarit të Komunës dhe të disa drejtorëve gjatë shqyrtimit të raportit. Madje këshilltarë të caktuar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë vlerësuar se krahas qeverisjeve të shkuara edhe qeverisja aktuale ka treguar paaftësi në arkëtimin e borxheve që palët e ndryshme kanë ndaj Komunës së Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.
Përmbajtjen e raportit e ka prezantuar Lulzim Sylejmani nga Komisioni për evidencimin dhe inkasimin e llogarive të arkëtueshme, i cili ka theksuar se obligimet e paarkëtuara janë afro 20 milionë euro dhe se shumë pak janë ndjekur procedurat për arkëtimin e tyre nëpër vite.