Vetëvendosje kundër rinumërimit total të votave
Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar kundër rinumërimit total të votave, pasi një kërkesë e tillë erdhi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, raporton Express.
Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se kërkesa për rinumërim të plotë i tejkalon kërkesat ligjore.
Lexo Edhe:
Sipas tij, mospërputhjet shihen ku janë, duke shtuar se ata që marrin më pak vota paraprihen të mos jenë të kënaqur.
Kurteshi ka thënë se nuk ka shenja për rinumërim të plotë, sepse sipas tij, një gjë e tillë do thoshte se ky proces zgjedhor ka qenë i kriminalizuar.
“Ne kemi tërhequr vërejte për kujdes, por pas rezultateve të bie poshtë atëherë i bie se tërë procesi ka qenë i kriminalizuar. Numrin më të vogël të rinumërimeve e ka VV-ja edhe pse i ka marrë më shumë se gjysmën e gjitha votave”, ka thënë ai.
Ndryshe, zyrtari i AAK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ibrahim Selmanaj, ka thënë se ka pasur parregullsi në procesin e numërimit dhe ka shtuar se hetuesia duhet të merret me secilin komisioner që kuptohet se ka bërë dallavere.
Ai ka kërkuar nga KQZ-ja që të bëhet rinumërim i plotë në mënyrë që të pastrohet si proces dhe secili të përgjigjet për keqpërdorimet.
Megjithatë, kjo kërkesë s’ka marrë mbështetjen e të tjerëve në KQZ.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se sa i përket rinumërimit total, kjo vendoset nga KQZ-ja dhe nëse merr përkrahjen e të gjithëve, mund të ndodhë.
Daka ka thënë se nga rinumërimi i deritashëm, nëse vërehet ndonjë dallim i madh mes votave të numëruara në QNR dhe atyre që janë dërguar në herën e parë nga raportet e komisionerëve, emrat e tyre do të dërgohen në Prokurori.