16-04-2021

Shtetrrethimi nga ushtria serbe në Lugishtë të Hasit më 1998, si arritën të dalin eprorët e UÇK-së, Veseli, Maloku e Zyrapi nga fshati (2)

Shkruan: Msc. Qazim Morina

Lugishta është fshat i tipit të shpërndarë me lagje. Për mungesë komunikimi në atë kohë, lajmi për ardhjen e forcave serbe në qendër të fshatit përhapej ngadalë, përmes fshatarëve.
Banori Hasan Parallangaj (baba i dëshmori)t, tregon se situata bëhej më e rëndë, pasi kuptoi  për rrethimin e fshatit, ndërsa një natë më parë përmes malit të Pashtrikut, në shtëpinë e tij kishin ardhur disa eprorë të lartë si dhe pjesëtarë të UÇK-së, si Bislim Zyrapi, Kadri Veseli (Luli), Naim Maloku,Salih Veseli, pastaj një  “Komandant Bardha “ (sipas B. Zyrapit kjo ishte Valbona Morina).  Ata ishin të lodhur nga rruga malore, pasi kishin edhe çantat me armatim.

Dëshmitarët kujtojnë se duke i zgjedh sipas rastësisë, nga turma janë nxjerrë 18 persona, të cilët me një kamion ushtarak janë dërguar në Prizren, ku janë përdor ndaj tyre metoda barbare të dhunës.

Atë natë në Lugishtë mbetën edhe mësimdhënësit nga Prizreni, që punonin në këtë fshat.
Ish-kryetari i fshatit, Islam Osmankaj thotë se për një orë atij i ishte urdhëruar, që për çdo 5 minuta t’ia rekomandonte turmës dorëzimin e armëve. “Nëse ndodh që veç pak të vonohesh për t’ua thënë do të pushkatohesh më kërcënoi eprori”, tregon ai.

Si zakonisht, burrat e tubuar i ndanë  nga gratë, duke i vendosur në shtëpitë e familjeve  Musaj, Man Avdisë, Rrustem Avdisë dhe Fetah Ahmetit, ndërsa gratë i vendosën nëpër klasat e shkollës.

Gjatë natës i kanë intervistuar disa nga banorët, duke u bërë presion dhe maltretime.
Kështu kaloi kjo natë e tmerrit, që mund të krahasohet me filma horror nga ata më të tmerrshmit.
Të nesërmen, sipas skenarëve të njëjtë ushtria kishte ndërmarrë aksionin e bastisjes dhe vjedhjes nëpër shtëpitë e fshatit.

Në bisedë ishte marrë edhe prijësi fetar, Shejh Salihu (tashmë i ndjerë). Sipas dëshmitareve atë e kishin marrë me një kamion ushtarak, duke e nxjerrë jashtë  fshatit, dhe rikthyer pas një kohe.

Të gjitha dhomat pa përjashtim i ngjanin një vendi ku çdo gjë ishte përmbysur. Pothuajse s’kishte mbetur dhomë e lëre më shtëpi pa u kontrolluar. Me këtë rast ishin plaçkitur stoli ari, para, gjëra të vlefshme, si dhe raki e pako cigaresh.

Kryesinë e fshatit e kishin ndarë nga turma, duke i rreshtuar para shitores në qendër të fshatit. Ndaj tyre ishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike, me arsyetim se po fshihnin informacionet për armët dhe UÇK-në. Ata ishin kërcënuar se pas djegies së fshatit do t’i digjnin edhe banorët.

Ish-eprori i UÇK-së, Bislim Zyrapi thotë se këtë ngjarje e mban të freskët në kujtesë pasi ishte ndër sfidat e rralla, meqë duhej veprim i analizuar, që të mos dëmtohej popullata. “Gjatë ditës më 10 nëntor 1998, me një grup prej 15 ushtarësh nga Shqipëria arritëm në malin afër Lugishtës. Për të mos rënë në sy aty pritëm derisa të errësohej për të hyrë në fshat. Të nesërmen ndodhi rrethimi, andaj për ta mohuar lidhjen me ne për shkak të torturave, e porositëm pronarin e shtëpisë, Hasanin, që në rast të arrestimit, të deklaronte se ne kishim hyrë në shtëpi me forcë, pa lejen e tij”, tregon ai.

Xhafer Parallangaj, ish-koordinator lokal për përcjelljen e çlirimtarëve, shprehet se në pajtim me eprorët dhe në shoqërim me grupit lokal të UÇK-së, ku ishte edhe Bislim Muqaj, ende pa zbardhur drita kanë dalë nga shtëpia, dhe përmes malit mbi Lugishtë kanë kaluar në Gjonaj. “Prej atje kemi kontaktuar shtabin në Landovicë, është siguruar ura e Gjonajve, prej nga edhe kaluan eprorët”, kujton ai.

Zyrapi kujton se kishin strategjinë për evakuim, duke ditur se ishin pak në numër dhe pa armatim të mjaftueshëm, ndërsa për më keq banorët ishin marrë peng të mbyllur në dhoma nën tytën e armëve. “Ishim të gatshëm për vetëmbrojtje, por forcat serbe merreshin me banorët, dhe s’ishte interes për ndonjë provokim pas të cilit do ta pësonin edhe fshatarët.”, thotë ai.

Xhafer Parallangaj, ish-koordinator lokal për përcjelljen e çlirimtarëve, shprehet se në pajtim me eprorët dhe në shoqërim me grupit lokal të UÇK-së, ku ishte edhe Bislim Muqaj, end pa zbardhur agu kanë dalë nga shtëpia, dhe përmes malit mbi Lugishtë kanë kaluar në Gjonaj. “Nga Gjonaj kemi kontaktuar shtabin në Landovicë, është siguruar ura e Gjonajve, prej nga edhe kaluan eprorët”, kujton ai.

Lugishta ishte mbajtur e izoluar përreth 36 orë, derisa kishin ndërhyrë vëzhguesit e OSBE-së.
(Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian), të cilat në atë kohë qarkullonin me automjetet e tipit “xhip” ngjyrë portokalli. Lëvizja dhe prania e tyre ishte shpresë për shqiptarët civilë, për  t’i shpëtuar kthetrave të policisë e ushtrisë serbe. Kjo sigurisht kishte ndikuar që Lugishta “të shpëtojë” pak më lehtë se sa fshatrat fqinje Kushnini e sidomos Romaja.

Edhe këtë rast e regjistroi KMDLNJ në Prizren.

Lexo edhe:

Shtetrrethimi serb në Lugishtë të Hasit, frikësimi i nxënësve dhe ngujimi i banorëve më 1998 (Pjesa 1)

Asnjë koment

Comments are closed.