Vetëvendosje në Prizren: “Luftë” për kandidatin për kryetar komune, ja emrat favorit

Vetëvendosje! që qeverisë aktualisht në Prizren duket se ka telashe në lidhje me emrin e kandidatit për kryetar komune.

Kryetari aktual i Prizrenit, Mytaher Haskuka më nuk gëzon mbështetje të strukturave partiake për të garuar edhe për një mandat.

“Strukturat e partisë nuk janë të kënaqur me mënyrën se si Haskuka ka udhëhequr me qytetin e Prizrenit tash e katër vjet”, tha ky burim.

Megjithatë, siç mëson Gazeta Blic lideri i VV-së ende e sheh si opsionin më të mundshëm për ta rikandiduar Mytaher Haskukën. Pos Haskukës, për Kurtin i preferuar mbetet edhe ministri aktual i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajruallah Çeku.

Megjithatë, këta nuk janë emrat e vetëm që po përfliten si kandidat për kryetar të Prizrenit.

Struktura e degës së kësaj partie në Prizren, po e preferon kryetarin Artan Abrashi, i cili aktualisht është deputet.

I kontaktuar nga Gazeta Blic, Abrashi ka theksuar se ende nuk e kanë vendosur emrin e kandidatit.

Abrashi ka theksuar se ditëve në vijim do të mblidhet kryesia dhe do të vendoset për kandidatin.

“Nuk kemi vendosur akoma. Këto ditë duhet të mblidhet kryesia dhe të vendoset kandidati. Po besoj brenda një periudhe të shkurtë do të vendosim. Kështuqë kur të vij koha do të kemi të qartë kush është kandidati”, thotë Abrashi.

Kontakti me Mytaher Haskukën e Hajrullah Çekun ka qenë i pamundur.

Ndërkohë, edhe deputetja tjetër nga kjo parti, Drita Millaku publikisht e ka shprehur ambicien e saj për të garuar për të parin e Prizrenit.