Vetëvendosje planifikon shkarkimin e Avokatit të Popullit për ta parandaluar dërgimin e rastit Daka në Kushtetuese

Shumica parlamentare e Vetëvendosje po pritet ta iniciojnë procesin e shkarkimit avokati i Popullit, Naim Qelaj sa ma shpejt që është e mundur. Arsye pse pritet ta bëjnë një gjë të tillë është mundësia që ai ta dërgoje rastin e Valdete Dakes në Gjykatën Kushtetuese.

Burimet e Gazetës Insajderi, bëjnë me dije se Vetëvendosje në këtë mënyrë planifikon që ta bllokojë dërgimin e këtij rasti në Gjykatën Kushtetuese, pasi që edhe ata shohin shkelje Kushtetuese nga ana e Presidentes.

Ndërkohë PDK ka mbledhur nënshkrime për ta dërguar rastin e Valdete Dakes në Kushtetuese, nënshkrimet për të cilën i ka dhënë edhe AAK por jo edhe LDK. Për dërgimin e rastit të Valdete Dakës në Kushtetuese duhet gjithsej 30 nënshkrime.

Por, sot gjatë ditës deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka konfirmuar se i kanë të gjitha nënshkrimet e nevojshme për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e presidentes, Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“PDK-ja i ka të gjitha nënshkrimet e nevojshme që vendimin e Osmanit për shkarkimin e zonjës Daka ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. I ftojmë edhe partitë e tjera që të na bashkëngjiten”, ka thënë ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkarkuar të hënën, Valdete Dakën nga pozita e kryetares së KQZ-së.

Në arsyetimin e Presidentes, thuhet se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë i pavarur.

“Znj. Valdete Daka i ndërpritet mandati si Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës. 2. Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, thuhet mes tjerash në vendim.

Ndaj këtij vendimi, Daka ka kundërshtuar një gjë të tillë.

Daka përmes një konference për media e ka cilësuar vendimin e Osmanit të porositur, kontradiktor e të paligjshëm.

Ndërkohe ajo përmes një konference për media ka paralajmëruar se do ta dërgojë në gjykatën kompetente një vendim të tillë.

“Të akuzohem për mospunë dhe për vendimet kolegjiale të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm pse kam aplikuar Kushtetutën dhe Ligjin është absurditet i llojit të vet dhe sipas të gjitha gjasave vendim i porositur. Ky vendim i Presidentes, i bërë publik pasditen e së hënës, shihet qartë se ishte përgatitur më herët. Këtë e dëshmon edhe fakti për emërimin brenda pak minutave të kryetarit të ri të KQZ-së. Unë do t’i drejtohem gjykatës kompetente për këtë rast”, kishte thënë Daka.

Tutje, Daka kishte treguar se kërcënimet e Presidentes për shkarkim e saj kishin nisur që nga janari i 2021, kur kjo e fundit kishte ndjekur ligjin për moslejimin e kandidaturës Kurtit dhe disa deputetëve të VV-së të cilët ishin të dënuar për vepra penale, në tri vitet e fundit.

“Kërcënimet publike të Presidentes Osmani kanë nisur që nga janari i vitit 2021, në kohën kur unë si Kryetare dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, edhe përkundër presionit të madh, ishim në mbrojtje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar kandidimin për deputetë të personave të shpallur fajtor për vepër penale, në tri vitet e fundit, me vendim përfundimtar të gjykatës. Vetëm një ditë pas vendimit të KQZ-së për moscertifikim të këtyre personave, më 23 janar, UD e Presidentes së Kosovës, përmes një video-mesazhi kishte kërcënuar publikisht me shkarkim anëtarët e KQZ-së”, kishte thënë Daka.

Ndryshe, Daka është emëruar kryetare e KQZ-së më 27 prill të vitit 2018, nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ndërkaq mandati i saj është 7-vjeçar. Ky është mandati i dytë i Dakës në krye të KQZ-së./GazetaInsajderi/