Vlera e pasurisë së sekuestruar të “Burdushit” kap vlerën rreth 2.6 milion euro
Shuma e përgjithshme e aseteve të ngrira dhe të sekuestruara ndaj Hysri Peqanit, i njohur si “Burdushi” kap vlerën rreth 2.6 milion euro, ndërsa bëhet fjalë për objekte, lokale, tokë dhe vetura. Pjesë e pasurisë së sekuestruar janë edhe dy vetura të shtrenjta të prodhuar gjatë këtij viti, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
“Burdushi” vazhdon ta vuaj masën e paraburgimit në qendrën përkatëse të Prizrenit, pasi nga Gjykata Themelore e Prizrenit është dënuar për veprën penale të mashtrimit me 1 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Ndaj tij zhvillohen hetime edhe për katër akuza të tjera të ngritura nga Prokuroria Themelore në Prizren. Mbi të rëndojnë akuza për veprat penale: shmangie nga tatimi, armëmbajtje ilegale, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe fajde.
Referuar kumtesës së PTH-së në Prizren, ngrirja e përkohshme e aseteve dhe sekuestrimi ndaj Peqanit është realizuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, ndërsa bëhet fjalë për:
-Objekt për afarizëm me sipërfaqe prej 530 m² ;
-Ngastra kadastrale së bashku me objekt afarist me sipërfaqe të përgjithshme prej 95 m²;
– Dy shtëpi banimi me lokal afarist dhe me objekte të tjera përcjellëse me sipërfaqe prej 3270 m²;
– Dy shtëpi banimi me objekte të tjera përcjellëse me sipërfaqe prej 3.256 m²;
– Lokal me sipërfaqe prej 174 m²; – Lokal me sipërfaqe prej 92 m²;
– Veturë e tipit “Audi A7” viti i prodhimit 2018;
– Veturë e tipit “Land Rover” viti i prodhimit 2018;
– Veturë e tipit “Renault Megane” viti i prodhimit 2018;
– Veturë e tipit “VV Touran” viti i prodhimit 2016;
– Veturë e tipit “VË Golf” viti i prodhimit 2009.
“Shuma e përgjithshme e aseteve të ngrira dhe të sekuestruara në këtë rast arrin vlerën rreth 2 milionë e 600.000 euro. Për këtë rast, do të vazhdohet me procedurë hetimore, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të rrethanave lidhur me këtë çështje”, thuhet në kumtesën e PTH-së.
Ndërkaq i pyetur për ecurinë e hetimeve në rastin e dytë ndaj ‘Burdushit’, Prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu ka thënë për “GazetaePrizrent.net” se janë duke u zhvilluar hetime, pasi bëhet fjalë për një lëndë voluminoze, që ka shumë materiale./ GazetaePrizrent.net/.