Vlora Çitaku e kishte thënë para Albin Kurtit: Është koha që Serbia të çlirohet nga Kosova
Para kryeministrit Albin Kurti, frazën se “Serbia duhet të çlirohet nga Kosova” e kishte përdorur ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, gjatë një sesioni të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, shkruan Gazeta Express.
Të premten në Mynih të Gjermanisë në një panel të përbashkët janë përballur kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Në fjalimin e tij, Kurti kishte folur edhe për normalizimin final të raporteve Prishtinë-Beograd. Sipas kreut të Lëvizjes Vetëvendosje fuqitë ndërkombëtare e kishin ndihmuar Kosovën që të çlirohej nga Serbia meqë ishte e okupuar ndërsa tashmë thoshte se tashmë është koha që “Serbia duhet të çlirohet nga Kosova”. Sipas tij sa më parë të ndodhte një gjë e tillë, aq më mirë për të dy shtetet dhe rajonin.
Deklarimet e Kurtit të bëra në atë panel e kishin bërë gjiron në rrjetet sociale dhe gjithashtu kishin nervozuar Vuçiqin i cili donte t’i kundërpërgjigjej menjëherë, megjithatë drejtuesja e panelit nuk ia ka dhënë fjalën.
Megjithatë frazën se “Serbia duhet të çlirohet nga Kosova” e kishte përdorur e para ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, gjatë një fjalimi të mbajtur në Kombet e Bashkuara më 7 shkurt të vitit 2019, raporton Gazeta Express.
“ Të dashur anëtarë të Këshillit , është koha që Serbia të çlirohet nga Kosova”, kishte thënë Çitaku në vitin 2019, duke rikujtuar gjithashtu çlirimin e Kosovës nga Serbia në vitin 1999./GazetaExpress/