25-04-2024

Vrasja e 28-vjeçarit nga Prizreni në Gjermani, gjithçka që dihet për rastin

Babai i kosovarit nga Prizreni që ka vdekur në Gjermani ka thënë se djali i tij asnjëherë nuk ka treguar se ka pasur probleme me ndokënd. 28-vjeçari ka vdekur pasi është therur me thikë nga kolegu i tij në vendin e punës, të shtunën në Nymphenburg të Munchenit.

Ai ka deklaruar se i biri asnjëherë nuk ka dhënë shenja se kishte konflikte të vogla apo të mëdha me ndonjë person apo edhe kolegë të punës.

Kosovari punonte murator në sektorin e ndërtimtarisë për tre vite në Gjermani, të njëjtën punë e kishte bërë edhe në Kosovë më parë.

Ai u godit me thikë nga një koleg i tij shqiptar dhe si pasojë e plagëve të rënda edhe pas operimit nuk arriti të iu bëjë ballë plagëve.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Nymphenburg të Mynihut. Policia ka njoftuar se 33-vjeçari ka sulmuar me thikë dy kolegët e moshës 28 dhe 50 vjeç herët në mëngjes, rreth orës 07:30.

“Një grup prej gjashtë punonjësve u takuan të shtunën rreth orës 7:30 të mëngjesit në një furrë buke në Rosa-Bavarese-Straße. Aty blenë mëngjesin dhe më pas donin të shkonin në një kantier ndërtimi aty pranë. Njëri nga burrat është shef i një kompanie fasadimi, të tjerët janë të punësuar atje.

Menjëherë pas daljes nga furra e bukës, kur burrat ishin në shkallë përballë rrugës, njëri prej burrave nxori një thikë kuzhine me një teh 20 centimetrash dhe pa paralajmërim goditi kolegun e tij 28-vjeçar dhe pronarin 50 vjeçar të firmës. Ai u shkaktoi plagë dhe prerje aq të rënda me thikë në pjesën e sipërme të trupit dhe në qafë të burrave, saqë iu desh t’i nënshtroheshin një operacioni urgjent” thuhet në raportin e policisë gjermane.

28 vjeçari Nehat Elshani nga Prizreni nuk i ka mbijetuar plagëve duke ndërruar jetë në spital.

Asnjë koment

Comments are closed.