25-04-2024

Vrasja e çiftit në Prizren dyshohet se ndodhi për pronë, prindërit e deklaronin djalin si të sëmurë

Gazeta Express gjatë së martës ka qëndruar tek shtëpia ku u gjetën të vrarë Suada dhe Durimi. Fqinjët i përshkruajnë ata si persona të qetë dhe gazmor.

“Nuk kemi ndi as krismë e as kurgjo. Krejt familjen e kanë jashtë. Na me ta kemi pi çaj, kafe, për neve gjithmonë kanë qenë të mirë. Nuk kanë folur asnjëherë për ndonjë problem”, thotë njëri nga fqinjët e çiftit.

Ata thonë se dy fëmijët e tjerë të çiftit i kanë parë, por Adriatikun i cili dyshohet se i vrau ata, thonë se asnjëherë nuk e kanë parë.

“Ai djali edhe kur ka ardhë, ne kurrë s’e kemi pa as nuk e kemi njoftë as kurrgjo. Rrike brenda, nuk dilte aq. Prindërit e tij thonin është pak i sëmurë. Këta i kanë tre fëmijë. Djali e cika tjetër janë atje punojnë atje rregullisht. Këta vinin herë këtu e herë atje. E kanë blerë këtë shtëpinë afër nesh. Pinim kafe shpesh me zonjën e ndjerë”, sqarojnë fqinjët.

Në foto: Suada dhe Durim Hadri

E çifti i ndjerë, planet për të qëndruar në vendlindje i kishin te mëdha. Për këtë punë kishin bërë edhe investime në biznes duke blerë kështu një tokë për parkingje në qendër të Prizrenit e dy banesa.

E pikërisht prona dyshohet të jetë shkaktari i këtij veprimi që e kreu 35-vjecari. Por i dyshuari kryesor për këtë vepër, djali i çiftit ende nuk është kapur nga Policia.

“Ai nuk është marrë me punë të mira. Babi i tij ka qenë milioner. E kanë blerë një parking në qendër të Prizrenit. Po thonë se për pronë janë kapur”, deklarojnë fqinjët.

Po rreth këtyre deklaratave nuk është përgjigjur Prokuroria Themelore e Prizrenit. Ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve të Expressit të martën.

Ndërkohë në një përgjigje me shkrim nga Prokuroria janë deklaruar se rasti në fjalë është ende në fazën e hetimeve, e se janë duke grumbulluar informacionet e nevojshme.

Foto: Vetura dhe shtëpia e çiftit

“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin e vrasjes së ndodhur me datë 22.01.2020 në lagjen “Ortakoll” në Prizren, Prokuroria është akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve të nevojshme, për zbardhjen e plotë të rastit”, ka deklaruar për Gazetën Express, Fitore Mehmeti zëdhënëse për informim në Prokurorinë e Prizrenit.

Organet e rendit kishin deklaruar se dyshohet se A.H, mund të ketë kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut për të shkuar pastaj në Greqi. Deri më tani nuk kanë informacione të reja për vendndodhjen e tij.  Ndërkohë në rast tashmë për hetime janë përfshirë edhe autoritet suedeze.

Ata u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit. Sipas policisë, afër trupave të tyre ishin gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja./GazetaExpress/

 

Asnjë koment

Comments are closed.