01-05-2024

Vrasja e Elvis Pistës nga Rahoveci, as 2019-ta nuk e zbardhi

2019-ta kaloi pa u zbardhur disa nga vrasjet që tronditën Kosovën gjatë viteve të kaluara.

Vrasja e Elvis Pistës

Ishte nata mes 14 dhe 15 qershorit të 2014-tës kur kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Elvis Pista ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri.

Në natën kritike, Pista do të dilte bashkë me miqtë e tij (gruan, shokun e tij dhe bashkëshorten e shokut), nga një aheng të mbajtur në vendin e quajtur “Jaha Petrol”, nga ku më pas ishte qëlluar me armë zjarri nga diku rreth 7 metra largësi, shkruan lajmi.net.

Në ditën kritike, personave që ishin bashkë me të s’do t’u jepej përshtypja se Elvis Pista është qëlluar me armë zjarri, ndërkaq që sipas kallëzimit penal të Policisë ata fillimisht kishin menduar se krismat vijnë nga ndezja e fishekzjarrëve por, që ato nuk ishin fishekzjarrë.

Ato ishin katër të shtëna të një arme të kalibrit 7.65 milimetra që besohet të ketë pasur edhe shurdhues të zhurmës.

Këto të shtëna do të ishin fatale për Elvis Pistën që ndërroi jetë në orët e para të datës 15 qershor të 2014-tës.

Lajmi.net gjatë këtij viti ka raportuar për ecurinë e hetimeve mbi vrasjen e Pistës.

Nga Prokuroria e Gjakovës kishin bërë të ditur se megjithëse janë bërë pesë vite nga nisja e hetimeve pas ndodhisë, nuk ka asnjë të dyshuar ose ndonjë provë të re.

“Në hetimet e kryera deri më tani, ende nuk është arritur që të gjendet kryerësi apo kryerësit e mundshëm të vrasjes”, kishin deklaruar nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Tutje, nga prokuroria kishin thënë se deri tani, nuk është arritur të sigurohet ASNJË provë e re për zbardhjen e rastit, teksa hetimet vazhdojnë.

“Po ashtu deri më tani, nuk kemi arritur të sigurojmë ndonjë prove të re në zbardhjen e rastit. Rasti ende vazhdon të jetë në hetim”, kishin thënë tutje nga kjo prokurori për lajmi.net.

Familjarët e Pistës për lajmi.net rrëfyen se rasti është neglizhuar tej mase nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Hidija Pista, nëna e Elvis Pistës thotë të kenë kërkuar që rasti të kaloj në Prokurorinë Speciale, mirëpo se për këtë kërkesë nuk janë mirëpritur.

“Ju e dini që rasti trajtohet nga Prokuroria e Gjakovës. Me vajzën time, Beatrisën kemi qenë tek prokurori Ali Ukaj për të tërhequr lëndën dhe ta dërgojmë në Speciale, mirëpo nuk jemi mirëpritur për këtë”, tha ajo.

Hidija Pista thotë se vajza e saj, Beatrisa ka pasur aksident dhe se nuk ka mundur ta dërgojë kërkesën me shkrim në Prokurori, teksa thotë se hetuesit e rastit e kanë ndërruar sektorin.

“Vajza ka pasur aksident dhe nuk iu është drejtuar me shkrim. Ndërkohë, nga hetuesit e rastit të krimeve të rënda nuk ka as edhe një lëvizje as informacion për përparim të rastit. Ne kemi kontaktuar me hetuesit e krimeve të rënda, ndërsa ata fatkeqësisht pas katër vitesh janë pozicionuar, disa kanë kaluar në krime ekonomike e disa në krime lufte. E që dy vite nga hetuesit e rinj nuk ka as edhe një thirrje”, vazhdon rrëfimin nëna e Elvisit, Hidija.

Për Elvis Pistën që ishte kandidat për deputet nga radhët e PDK-së ende nuk ka drejtësi, teksa autorët e vrasjes së tij janë ende në liri./Lajmi.net/

Asnjë koment

Comments are closed.