06-12-2023

Vrasja në Malishevë, Prokuroria tregon për motivin që çoi në tragjedi

Detaje të reja lidhur me vrasjen që ndodhi të martën e 20 shatorit në Malishevë, ka dhënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Hekuran Batusha, i cili ka thënë se viktima dhe i dyshuari kishin qenë kolegë të punës.

“Të dy kanë qenë kolegë, kanë punuar me mjete të rënda. I dyshuari është në ndalim për 48 orë”, ka thënë Batusha.

Më tej, ai ka thënë se shkaktarët e kësaj vrasjeje lidhen me punën që e bënin.

“Sipas informacioneve të para, dyshohet se ka qenë një mosmarrëveshje që lidhet me punën”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar se një person është gjetur pa shenja jetë dhe, sipas tij, ai dyshohet të jetë i qëlluar me armë zjarri.

“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij”, ka deklaruar ai.

Më tutje, ai ka thënë se për këtë vrasje një person është vetëdorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë.

“Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, ka thënë Elezaj.

Sipas tij, policia në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Asnjë koment

Comments are closed.