VV-ja me peticion kërkon zgjedhje
Lëvizja Vetëvendosje me peticion do të kërkojë zgjedhje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.
Sekretarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimehmedi, dhe Liburn Aliu, mbajtën konferencë për media ku ndër tjera folën edhe për raportin e UNDP-së mbështetur nga USAID-i. Këtë raport e vlerësuan të mirë marrë parasysh kënaqshmërinë ndaj kryeministrit dhe Qeverisë, tash në detyrë.
“Sot kemi parë një raport të UNDP-së ku konstatohet se kënaqshëmria me punën e ekzekutivit është rritur. I njëjti raport tregon se me punën e kryeministrit Kurti janë të kënaqur 65 për qind e qytetarëve. Edhe pse kjo qeveri u godit prej LDK-së ajo vazhdoi të bëjë punë të mirë. Aktvendimi i Gjykatës hap rrugë për regjim ku vota e qytetarëve bëhet e parëndësishme. Do të nisim një peticion online për të kërkuar zgjedhje”, tha Haxhimehmedi.
Ajo shtoi se “Zgjedhjet janë zgjidhje e krizës politike, e vetmja rrugë për te dalë nga kriza”.
“Nuk lejojmë qeveri pa zgjedhje”, tha ajo.
Ndërkaq, deputeti Liburn Aliu ka thënë se peticioni është “rezistencë”. Ka thënë se ky do të jetë hapi i parë në kërkesën për zgjedhje të reja. “Peticioni është rezistencë. Veprimet tona do të jenë paqësore me mjete legjitime”, ka deklaruar ai.
Nuk e ka përjashtuar protestën si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por ka thënë se për momentin “nuk ka nevojë”.
Të enjten, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi të shpallë kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti më 25 mars. Vetë kreu i VV-së, Albin Kurti, të premten e cilësoi vendimin “të papranueshëm”. Në anën tjetër, LDK-ja ka paralajmëruar që sapo të marrë vendimin e plotë të Kushtetueses do të kërkojë mbajtjen e seancës për votimin e Qeverisë Hoti.