25-04-2026

VV kërkon tre emra për president nga PDK e LDK: Të jenë jashtë skenës aktuale politike

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar dy partitë opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, që të propozojnë tre emra për president, duke ofruar të gjitha nënshkrimet e deputetëve të kësaj partie dhe tërheqjen e kandidaturave të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut.

Në një njoftim të së shtunës, LVV-ja ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë të premten në mbrëmje ka vendosur të ndërmarrë “edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues”.

Në ftesën drejtuar dy partive opozitare, VV-ja ka theksuar se kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike.

“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të. Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike. Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Kuvendi ka afat deri më 28 prillpër të zgjedhur presidentin, përndryshe Kosova shkon në zgjedhje të reja parlamentare. VV-ja ka thënë se pret përgjigje nga PDK-ja dhe LDK-ja deri të dielën në mbrëmje (26 prill).

“Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.