25-04-2024

Walker: Shqetësohem për Kosovën, ditë e trishtueshme për kosovarët

Me shqetësim të madh e ka pritur udhëtimin e ish-krerëve të UÇK-së për në Hagë, ish-ambasadori i OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker.

“Shqetësohem për Kosovën”, ka thënë Walker, teksa ka komentuar zhvillimet dramatike të ditës së sotme, raporton Gazeta Express.

Ai ka theksuar se sot “është një ditë e trishtueshme për kosovarët”, ndërsa përgjigjen pozitive të ish-krerëve të UÇK-së për ftesat e Speciales e ka cilësuar si “gjëja më e mirë që mund të ketë ndodhur”.

Tutje, ai ka pasur kritika për Prokurorinë e Specializuar në Hagë. Walker ka përmendur se si vartësit e Sllobodan Millosheviqit që kishin kryer krime në Kosovë, tani kanë pozita të rëndësishme udhëheqëse në Serbi dhe nuk gjykohen.

“E kam thënë këtë më herët, nuk jam ndonjë tifoz i Prokurorisë Speciale. Tashmë kanë kaluar 5 vjet dhe tashmë kemi një numër aktakuzash… Kritika ime ndaj gjithë këtij procesi është që në thelb. Janë akuzuar shtatë apo tetë udhëheqës të UÇK-së ndërkaq që ka zyrtarë në pozita të rëndësishme në Serbi që kanë kryer krime dhe nuk kanë aktakuza… Për mua nuk është proces i baraspeshuar në kuptim të ndëshkimit dhe ndjekjes penale…. Është lajm i keq për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Walker në RTK.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi mbrëmë u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destianacion, me një avion ushtarak, sot u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-shefi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-drejtori i shërbimit informativ të UÇK-së, Kadri Veseli dhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi. /GazetaExpress/

Asnjë koment

Comments are closed.