26-04-2024

Xhavit Zogaj nga Malisheva kërkon nga “Kosova e Re” kompensimin e dëmit

Një ekspertizë mjekoligjore dhe një tjetër e komunikacionit do të bëhen në rastin ku paditësi Xhavit Zogaj, kërkon kompensim dëmi nga kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, pasi për shumën e kompensimit ka dështuar të arrihet marrëveshje gjyqësore, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Zogaj, më 18 mars 2016, kishte ushtruar padi ndaj kësaj kompanie, pasi pretendon se kishte marrë lëndime trupore teksa ishte goditur nga një veturë, derisa ai po kalonte rrugën në cilësinë e këmbësorit.

Për ngjarjen që kishte ndodhur më 9 maj të vitit 2014 në rrugën “Rilindja Kombëtare”, në Malishevë, ai për këto lëndime, kërkon t’i kompensohet dëmi në shumë prej mbi katër mijë eurosh.

Në seancën e së martës, gjykatësi i rastit, Haki Kryeziu, ka aprovuar propozimin që të bëhet ekspertizë mjekoligjore dhe e komunikacionit.

Caktimin e ekspertizës mjekoligjore e ka kërkuar i autorizuari i paditësit, avokati Avdi Hoxha, kurse atë të komunikacionit e ka kërkuar përfaqësuesi i palës së paditur, Veton Robaj.

“Duke pasur parasysh faktin se në aksidentin e trafikut të shkaktuar në maj të vitit 2014, paditësi ka pësuar lëndime trupore, të cilat lëndime janë të përshkruara në raportin e emergjencës të QKUK në Prishtinë, baza juridike e përgjegjësisë të të paditurës dhe detyrimi i të paditurës që paditësit t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar. I propozoj gjykatës që në këtë çështje juridike të nxjerrën provat më dëgjimin e ekspertëve të ortopedisë dhe psikiatrisë”, ka thënë Avdi Haxha.

Kurse, i autorizuari i palës së paditur, kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, Veton Robaj, ka deklaruar se është i gatshëm të ofroj marrëveshje gjyqësore me paditësin, për kompensimin e dëmit lidhur me dhimbjet fizike dhe friken e të gjitha llojeve, në shumën e përgjithshme prej 800 euro, por, këtë ofertë nuk e ka pranuar i autorizuari i palës paditëse.

Pas mos arritjes së marrëveshjes gjyqësore, i autorizuari i të paditurës, Veton Robaj, ka thënë se propozon të bëhet një ekspertizë e komunikacionit, në mënyrë që sipas tij, saktësisht të përcaktohet përgjegjësia e pjesëmarrësit në komunikacion.

Gjykatësi Haki Kryeziu, seancën e radhës e ka caktuar më 24 shtator 2018, në ora 13:00.

Ndryshe, sipas padisë, më 9 maj 2014 në rrugën “Rilindja Kombëtare”, në Malishevë është shkaktuar aksident komunikacioni në të cilën lëndime trupore ka pësuar këmbësori Xhavit Zogaj, tani në cilësinë e paditësit.

Siç thuhet në padi, aksidenti është shkaktuar kur ngasësi i automjetit të udhëtarëve “VW Golf”, Ymer Kryeziu, i siguruar te e paditura, duke mos qenë i kujdesshëm gjatë vozitjes dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, me pjesën e përparme të automjetit, godet këmbësorin i cili në ato momente ishte duke kaluar rrugën, me ç’rast këmbësori pëson lëndime trupore.

Sipas padisë, shuma e kërkuar e cila mbulon të gjithë kompensimin e dëmit  është 4,040.00 euro./betimiperdrejtesi

Asnjë koment

Comments are closed.