Xhemaj: Raporti i Auditorit flet për gjendje alarmante të keqmenaxhimit të parasë publike në Komunën e Prizrenit
Publikimi i Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2019 për Komunën e Prizrenit, ka nxitur reagimin e Drejtorit të Zyrës për Komunikim në PDK, Bashmir Xhemajt nga Prizreni.
Përmes një postimi në ‘facebook’ ai ka deklaruar shkruar se raporti i prezantuar këto ditë, flet për gjendje alarmante të keqmenaxhimit të parasë publike në Komunën e Prizrenit.
Shkrimi i plotë i tij:
“Prizreni nuk ka kryetar; ose e ka një, formalisht, në shërbim vetëm të interesave të grupeve jashtë politikës. Ai u shërben më së paku qytetarëve dhe nevojave të tyre. Haskuka nuk është vetëm një kryetar i dobët që gjumin e bën në Prishtinë e ditën si vizitor në Prizren; por keqqeverisja e tij e zullumi po trashen çdo ditë.
Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2019 i prezantuar këto ditë flet për gjendje alarmante të keqmenaxhimit të parasë publike në Komunën e Prizrenit.
Dobësimi në menaxhimin e të hyrave, menaxhimin e personelit, të shpenzimeve, menaxhimin e pasurive, rritje të vazhdueshme të llogarive të arkëtueshmeve dhe detyrimeve janë vetëm disa të gjetura arlamante për nivelin e keq të qeverisjes.
Nga 29 rekomandime të Auditorit për KK të Prizrenit; 12 nuk janë zbatuar fare, 3 pjesërisht, 6 të mbyllura dhe vetëm 8 të zbatuara.
Premtimet e Mytaher Haskukës në 2017 për qeverisje pa korrupsion; me transparencë dhe qytet të gjelbërt, janë kthyer në degradim; dështim e kërcënim për të shkatërruar edhe ato të arritura 20 vjeçare të qytetit”.