02-12-2024

Zbulohen detaje nga aktakuza ndaj të akuzuarve për bixhoz, fajde e detyrim

Grupi i akuzuar për bixhoz të paligjshëm, me në krye ‘bossin’ Safet Kyçyku, ka dalë dje para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në seancën fillestare në gjykimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, si dhe veprave të tjera penale, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë seancës, prokurori i shtetit është pajtuar me pranimin e fajësisë nga disa prej të akuzuarve dhe kërkoi që të aprovohet marrëveshja, për çka gjyqtari i procedurës paraprake nxori aktvendim.

Sipas aktakuzës, Safeti, Ilirijani, Përparimi dhe Armend Danqeli, Demokrat Kurtaj, Burim Kurtaj, Agim Suka, Visar Tabaku, Adem Gashi, Hetem Xhekaj, Meridijan Kyqkyu e Dardan Krasniqi, akuzohen se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, për disa vjet Safet Kyçyku i ka organizuar lojërat e fatit, ndërsa të tjerët i kanë ndihmuar, për çka nuk është dhënë licenca, leja apo koncesioni i organit kompetent.

Aktakuza thotë se deri në ditën kur është kryer aksioni i madh policor në tetor 2022, kanë organizuar lojërat e fatit në një platformë online, pronë e Safet Kyçykut, e mbikëqyrur nga Ilirijani dhe Meridiani.

Safet Kyçyku dhe polici Luan Bytyqi, akuzohen se në bashkëkryerje, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë tentuar të kontraktojnë shumën dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit, duke shfrytëzuar gjendjen e dobët financiare të të dëmtuarit, duke e bindur të marrë hua para që arrin shumën prej 300 mijë euro.

Bytyqi po ashtu akuzohet edhe për detyrim, pasi sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, duke përdorur kanosje të vazhdueshme serioze, e ka detyruar të dëmtuarin që të japë shumën prej 4 mijë e 500 euro, në emër të kredisë prej 4 mijë euro, të cilën shumë ai e kishte paguar paraprakisht në Agjencinë për Financa në Kosovë për XH.J, vëllain e të dëmtuarit dhe më pas në mënyrë të njëjtë ka kërkuar shumën prej 7 mijë e 500 euro, gjoja në emër të kamatës për vonesën e borxhit.

Ndryshe, aktakuza është ngritur muajin e kaluar.

Asnjë koment

Comments are closed.