25-11-2024

Zbulohet motivi që dyshohet se e shtyri kosovarin t’i vrasë prindërit në Prizren

36-vjeçari nga Prizreni, Adriatik Hadri, është gjetur fajtor nga gjykata në Suedi, për vrasjen e prindërve të tij në Prizren. Prokurori i rastit atje ka thënë se para se të merret vendimi për të, do të vlerësohet edhe shëndeti mendor i tij. Ai është deklaruar edhe për motivin që dyshohet ta ketë shtyrë Hadrin t’i vrasë prindërit.

Në fund të janarit të vitit të kaluar, vendi ishte tronditur nga një vrasje e dyfishtë që kishte ndodhur në Prizren. Brenda shtëpisë së familjes Hadri në lagjen “Ortakoll”, ishin gjetur të vdekur Durim dhe Suada Hadri.

Ata kishin vite që jetonin e punonin në Suedi, derisa në Kosovë kishin ardhur për pushime.

Për vrasjen e tyre, i dyshuari i vetëm ishte djali i tyre Adriatiku, i cili kishte ikur nga Kosova, menjëherë pas rastit. Ai ishte arrestuar nga autoritetet suedeze në mars të vitit të kaluar.

E një vit pas kësaj ngjarje të rëndë, gjykimi ndaj 36-vjeçarit ka arritur drejt fundit.

Prokurori i rastit në Suedi, Olof Calmvik, i ka thënë Gazetës Express se gjykata ka gjetur se ai është fajtor për vrasjen e prindërve, por se do të vlerësohet edhe shëndeti i tij mendor para se gjykatësit të marrin vendimin.

“Gjykata ka gjetur se ai është fajtor për vrasjen e prindërve të vet dhe tani është duke iu vlerësuar shëndeti mendor para se ata (gjykata) të arrijë një vendim”, ka thënë Calmvik.

Ai është deklaruar edhe për motivet që dyshohet ta kenë shtyrë 36-vjeçarin për këtë veprim.

Dyshimet janë se një nga motivet kanë qenë paratë.

“Ne dyshojmë se të hollat kanë qenë një nga motivet, por do të doja të pres për vlerësimin mendor dhe vendimin para se të bëj ndonjë koment për këtë”, thuhet në përgjigjet e tij drejtuar gazetës.

Aktakuza ndaj Hadrit është ngritur më 15 janar të këtij viti. Procedura penale ndaj tij është transferuar para gati një viti muajsh në Suedi, shkaku i pamundësisë që ai të ekstradohet në Kosovë.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti, i kishte thënë Gazetës Express se në mungesë të ndonjë marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të Republikës së Kosovës, autoritetet suedeze i kanë njoftuar se ekstradimi i djalit të çifit Hadri nuk është i mundshëm.

“Duke qenë se i pandehuri në fjalë është shtetas suedez dhe se në mungesë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, respektivisht ekstradimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Suedisë dhe se autoritetet suedeze në bazë të legjislacionit të tyre në fuqi nuk lejojnë ekstradimin për shtetasit e tyre, atëherë dhe na kanë njoftuar paraprakisht se ekstradimi eventual i të pandehurit nuk është i mundshëm për shkak të këtyre pengesave procedurale’, kishte thënë Mehmeti.

Në mungesë të një marrëveshje të tillë, Prokuroria e Prizrenit kishte parashtuar kërkesë për transferimin e procedurës penale nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, kërkesë e cila kishte marrë miratimin e autoriteteve suedeze.

“Andaj, në këto rrethana, Prokuroria Themelore në Prizren përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka parashtruar kërkesë për transferimin e procedurës penale kundër të pandehurit A.H., nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, e cila kërkesë edhe është aprovuar nga autoritetet suedeze”, kishte thënë Mehmeti.

Asnjë koment

Comments are closed.