Zbulohet projekti. Në shkollat me shumë nxënës mësimi i shkurtuar

Të hënën që vjen nis viti i ri shkollor, teksa prania e covid-19 dhe mutacioneve të virusit janë ende prezente.

Por pavarësisht përkeqësimit të situatës, Top Channel mëson se nxënësit nuk do të zhvillojnë mësim online por do të shkojnë fizikisht në klasë. Megjithatë sërish mësimdhënia nuk do të jetë njësoj në të gjitha shkollat, kjo në varësi të numrit të nxënësve që kanë dhe infrastrukturës.

Sërish do të zbatohen 3 skenarë mësimdhënie. Në shkollat ku ka numër të vogël nxënësish dhe ku respektohen lehtësisht masat anticovid, kryesisht në zonat rurale, procesi mësimor do të zhvillohet normalisht e ora mësimore do të jetë 45 minuta. Skenari dy me ndarjen e klasës në dy grupe do të zbatohet në shkollat me një turn me numër të madh nxënësish ku është I pamundur plotësimi I protokollit të ministrisë së shëndetësisë, ku mësimi do të zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme e një orë mësimi do të zgjas 30 minuta.

Grupi i parë i klasës do të zhvillojë mësim nga ora 8:00 deri në 11.15; ndërsa grupi i dytë nga ora 11:45 deri në 15:00. Në rastet kur në një mjedis fizik zhvillojnë mësim dy shkolla ora mësimore do të jetë 25 minuta dhe do të ndiqet skenari numër 3 me ndarjen në 4 grupe. Grupi i parë do të nis mësim në orën 8:00 dhe do të mbarojë në 10:45, ndërsa grupi i dytë do të fillojë në 11:00 dhe do të mbarojë në 13”45. Në këto shkolla do të zhvillohet mësim edhe pasdite ku për një grup do të fillojë mësimin në 14:00 dhe e përfundon në 16:45, ndërsa grupi tjetër i klasës fillon në 17”00 dhe e mbaron në 19:45.

Drejtorëve të institucioneve arsimore parauniversitare u është kërkuar që në datë 23 shtator të dërgojnë zgjedhjen e tyre pranë zyrave vendore arsimore, gjithmonë duke u bazuar në kushtet e shkollës që drejtojnë. Më pas ky planifikim do i dërgohet drejtorisë së përgjithshme arsimore. /Top Channel