Zbulohet raporti i autopsisë për gruan e vdekur në Rahovec: Mësohet se a e kishte hedhur burri nga vetura
Një grua pati vdekur pas 2 jave trajtim në QKUK, ajo nuk arriti t’i përballojë plagëve të marra nga bashkëshorti i saj me datën 31 maj të këtij viti
Gruaja në fjalë ishte duke udhëtuar me automjet bashkë me burrin e saj në ditën kur edhe mori lëndimet e rënda, dyshohet nga Policia se ishte hedhur nga vetura.
Rasti në fjalë ishte konfirmuar për Metron nga zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, Veseli Gashi.
“Më 31 maj të këtij viti në Nebeshistë të Suharekës, gruaja në fjalë është sulmuar nga bashkëshorti i saj. Ndihma e parë viktimës iu është dhënë në qendrën mjekësore në Suharekë, por për shkak të gjendjes të rëndë shëndetësore viktima është dërguar për mjekim të mëtutjeshëm në Spitalin Rajonal të Prizrenit..Ka qenë duke udhëtuar me automjet me bashkëshortin dhe thuhet se është ra nga vetura, a është hedhë apo çfarë ka ndodhur janë detaje të cilat i takojnë hetuesisë. Dyshohet se gjatë kohës sa ishin duke udhëtuar edhe ka marrë lëndimet”, tha Gashi.
Por çfarë thuhet nga Gjykata Themelore dhe Raporti i Autopsisë për rastin?
Për të tretën herë, Gjykata Themelore e Prizrenit ia ka vazhduar masën e paraburgimit I. H., i cili dyshohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
“I vazhdohet paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditë, i cili do t’i llogaritet prej datës 01.08.2019, dhe do të zgjasë deri më datën 01.09.2019, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Lëndimi i rëndë trupor’, nga neni 186 par. 5 lidhur me par. 2 dhe 4 të KPRK-së, konform dispozitave të nenit 187 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.2 në lidhje me pikat 1.2.1 dhe 1.2.2 dhe 1.2.3. të KPPRK-së”, thuhet nga Gjykata Themelore në Prizren për KTV.
Derisa Prokuroria Themelore ka disa javë që ka mohuar ta ketë marrë raportin e autopsisë të së ndjerës, KTV-ja ka arritur ta sigurojë atë. Televizioni kishte dërguar pyetje më 2 gusht, por Prokuroria kishte thënë që është në pritje të raportit. Pyetje të njëjta janë dërguar edhe më 9 gusht, mirëpo këtë herë Prokuroria nuk kishte kthyer asnjë përgjigje.
Në raportin që është siguruar sqarohen të gjitha lëndimet që e ndjera nga Rahoveci, e cila ishte e martuar në Nepërbisht të Suharekës, kishte pësuar.
Sipas këtij raporti, vdekja, e tani të ndjerës, ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive, gjakderdhjeve të shumta në indin trunor, të shoqëruara me thyerje të kafkës.
Më tutje, aty thuhet se këto dëmtime janë dëmtime të shkaktuara nga trauma e shumëfishtë dhe me besueshmëri kanë qenë të shkaktuara si pasojë e përplasjes së trupit në sipërfaqe të forta, e që nuk përjashtohet mundësia që tani e ndjera të ketë rënë nga vetura që ishte në lëvizje.