12-12-2024

Riparimi i rrugës së Hasit, Gjonaj-Demjan mbeti vetëm premtim

Premtimet për fillimin në qershor të riparimit të rrugës së Hasit në segmentin Gjonaj-Demjan nuk u realizuan, ndërkohë që qarkullimi nëpër këtë aks bëhet me tepër vështirësi, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Derisa sipas informacioneve po punohet në pjesën tjetër të rrugës, në segmentin Bishtazhin-Demjan, gjysma tjetër e rrugës vazhdon të mbetet në gjendje të mjerueshme, duke pritur fillimin e premtuar të rikonstruktimit, edhe në pjesën e Hasit të Prizrenit.

Premtimin se në qershor do të vazhdojë riparimi i pjesës Gjonaj-Demjan e pat dhënë ministri  i Infrastrukturës dhe Transport, Pal Lekaj, në fillim të prillit,  gjatë ceremonisë së organizuar në fshatin Bishtazhin, me rastin e fillimit të punimeve të kësaj rruge në Hasin e Gjakovës, në gjatësi 12.6 kilometra, vlera e të cilës kushton rreth 1.6 milionë euro.

Portali “GazetaePrizrenit.net” që disa herë ka shkruar për gjendjen e mjerueshme të kësaj rruge, nuk ka marrë përgjigje nga Departamenti i Infrastrukturës Rrugore në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës për pyetjen rreth asaj se pse nuk ka filluar pjesa tjetër e projektit të premtuar në segmentin Gjonaj-Demjan, për ta kompletuar rrugën që lidh për 17 fshatra dhe dy regjione.

Për shkak të kësaj, banorëve dhe të tjerëve që u bie rruga andej, duhet të kalojnë nëpër trasenë tejet të dëmtuar të aksit Gjonaj-Demjan, duke pasur kujdes jo vetëm për dëmtim të automjeteve, por nga kjo edhe rrezikut potencial për aksidente. /GazetaePrizrenit.net

Shikoni storien e publikuar më herët për këtë rrugë:

Asnjë koment

Comments are closed.