23-04-2024

Zbuten masat për të marrë pasaportën gjermane

Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka publikuar të premten projektligjin me të cilin synon ta bëjë më të lehtë aplikimin për ta marrë shtetësinë gjermane.

Me këtë lëvizje, Berlini synon të nxisë migrimin dhe të hapë tregun e punesë në ekonominë të madhe të Evropës, shkruan Reuters.

Sipas projektligjit, personat e huaj mund ta kenë opsionin e mbajtjes së shtetësisë së shumëfishtë, që deri tash nuk ishte e mundur. Shtetësia e përhershme gjermane mund të merret pas pesë vjetësh, nga tetë sa ishte tash.

Por Qeveria nuk do t’ua japë pasaportën gjermane atyre që kanë vepra kriminale ose janë përfitues të ndihmës sociale nga shteti.

“Ne duam që njerëzit që janë bërë pjesë e shoqërisë sonë të jenë në gjendje të ndihmojnë në formimin e vendit në mënyrë demokratike”, ka thënë në një deklaratë ministrja e Brendshme, Nancy Faeser.

Qeveria gjermane ra dakord vitin e kaluar për të reformuar ligjin e imigracionit, pasi Berlini kërkon të hapë tregun e punës për punëtorët nga jashtë Bashkimit Evropian për të plotësuar qindra mijëra vende të lira pune në sektorë nga gastronomia, kujdesi për fëmijët, IT dhe energjitë e rinovueshme.

Në fund të vitit 2021, rreth 72.4 milionë njerëz me shtetësi gjermane dhe rreth 10.7 milionë me shtetësi të huaj jetonin në Gjermani, nga të cilët rreth 5.7 milionë kishin qenë në Gjermani për të paktën 10 vjet.

Projektligji është kundërshtuar brenda koalicionit qeverisës dhe nga partia opozitare konservatore, duke thënë se legjislacioni mund të inkurajojë migrimin e paligjshëm duke hequr stimujt për integrimin e plotë të migrantëve.

Projektligji thotë se kushdo që dëshiron të natyralizohet në Gjermani duhet të përkushtohet ndaj vlerave të një shoqërie të lirë, e cila përfshin dinjitetin dhe barazinë e të gjithë njerëzve.

“Kushdo që nuk i ndan këto vlera apo edhe vepron në kundërshtim me to, mund të mos bëhet shtetas gjerman”, thuhet në të.

Asnjë koment

Comments are closed.