24-11-2024

Zgjedhet Rektori i Universitetit Publik “Ukshin Hoti” të Prizrenit

Prof. Dr. Ismet Temaj, profesor i matematikës është zgjedhur sot Rektor i Universitetit Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”, transmeton “Gazeta e Prizrenit.net”.

Zgjedhja e tij është bërë pas votimit, në Këshillin Drejtues të Universitetit.

Zgjedhjen e tij e ka konfirmuar kryetari i KD të Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. Bedri Muhadri, i cili ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net” se Temaj mori 6 vota, ndërsa mungoi një nga anëtarët e KD-së.

Pretendentë për këtë post ishin edhe Kadri Kryeziu (aktualisht Prorektor), Naser Pajaziti, Bekim Berisha, si dhe Hamdi Hoti.

Temaj aktualisht është ushtrues detyre i Rektorit. Zgjedhja e tij u bë pas disa përpjekjeve dhe shtyrjeve të mbledhjeve të KD-së. Kjo ndodhi edhe gjatë javës së kaluar, kur zgjedhja e Rektorit u shty dy herë, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Në maj të vitit të kaluar Temaj ishte zgjedhur për Rektor, por mbledhja në të cilën ishte bërë zgjedhja e tij u kontestua, për shkak të mungesës së kuorumit të KD dhe çështja kaloi në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Në dhjetor 2018, KD i këtij institucioni ka anuluar vendimin e datës 22.05.2018 për zgjedhjen e rektorit, duke zgjedhur Temajn si ushtrues detyre.

Me këtë UPZ i ka dhënë fund odisejadës për zgjedhjen e Rektorit. Në bazë të Statutit, mandati i Rektorit është katër vjet, me mundësi rizgjedhje edhe për mandat.

UPZ është themeluar në vitin 2010, ndërsa ka rreth 10 mijë studentë. Pas rektorit ndërkombëtar themelues, këtë detyrë deri më tash e kanë kryer disa rektorë dhe ushtrues detyre. I fundit në këtë pozitë ishte Prof. Dr. Ramë Vataj./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.