20-01-2025

Zgjedhja e kryetarit Besnik Berisha: Prokuroria Themelore konfirmon se po e shqyrton rastin për vepër penale

Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka konfirmuar se po e shqyrton nëse ka elemente të veprës penale, zgjedhja e kryetarit të ri Besnik Berisha në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se për zhvillimet e 17 janarit në KPM, është angazhuar një prokuror.

“Po, jemi në fazën e shqyrtimit, është angazhuar një prokuror, po ashtu jemi duke e vlerësuar aspektin e kompetencës, nëse është kompetencë e prokurorisë sonë apo e Prokurorisë Speciale”, ka konfirmuar Gashi.

Në mbledhjen e fundit të KPM-së, tri ditë para se t’i përfundonte mandati kryetarit Jeton Mehmeti, u zgjodh kryetari i ri.

Por, para se të fillojë mbledhja, juristja e medias, Flutura Kusari reagoi duke thënë se ky proces është i motivuar politikisht dhe po bëhet para se të zgjedhen anëtarët e rinj të KPM-së.

Në atë mbledhje, paraprakisht në rend dite u vendos plotësim-ndryshimi i Rregullores së punës në nenin 3 “Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit të KPM-së”, ku u shtua paragrafi 2 me të cilin përcaktohet:

“Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, zgjedhja e kryetarit, përkatësisht nënkryetarit, mund të bëhet brenda një muaji para skadimit të mandatit të kryetarit, përkatësisht nënkryetarit, veçanërisht për t’u siguruar që KPM-ja nuk mbetet pa kryetar, përkatësisht nënkryetar në raste kur mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre”.

Gjatë diskutimit, Besnik Berisha, Luljeta Aliu dhe Fitim Aliu, si anëtarë të KPM-së thanë se këtë po e bëjnë në mënyrë që KPM-ja të mos mbetet pa kryesi.

Ndërsa Flutura Kusari, zhvillimet në KPM që rezultuan me zgjedhjen e kryetarit të ri, i quajti “kapje politike”. Sipas saj, KPM-ja momentalisht ka një kryetar jolegjitim.

“Kapja politike e KPM-së u kompletua… KPM-ja tash ka kryetar jolegjitim”, kishte shkruar ndër të tjera në reagimin e saj Kusari.

Për legjitimitetin e këtij zhvillimi, kryeprokurori Gashi tha se momentalisht çështja është në fazën e shqyrtimit.

“Sa i përket veprave penale të mundshme, nëse ka elemente të veprës penale, jemi në fazën e shqyrtimit, analizimit dhe pastaj vendosim”, ka thënë Gashi për “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkohë, kryetari Jeton Mehmeti derisa mbylli mbledhjen e 17 janarit, u deklarua se misioni i tij mori fund aty.

“Nuk ndjej siguri juridike për të vazhduar mbledhjen sepse nuk mund të jemi në sallë dy kryetarë. Misioni im si kryetar merr fund këtu. Nëse thërret mbledhje tjetër, marr pjesë si anëtar. Këtu po e mbylli këtë mbledhje”, tha Mehmeti.

Kryetar i ri u zgjodh Besnik Berisha, i cili ishte propozuar nga Fitim Veliu.

Asnjë koment

Comments are closed.