Zgjedhjet lokale, këta janë kandidatët e mundshëm për kryetar të Prizrenit

Kur kanë mbetur edhe disa muaj për përfundimin e mandatit aktual të kryetarëve të komunave, partitë politike kanë filluar lëvizjet për të identifikuar kandidatët me të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale.

Partitë politike kanë bërë të ditur edhe emrat e disa kandidatëve të tyre që pritet të garojnë për kryetar në disa komuna. Përveç kryeqytetit, garë interesante pritet të zhvillohet edhe në komunën e Prizrenit e cila aktualisht udhëhiqet nga Mytaher Haskuka i LVV-së.

Në media janë përfolur disa kandidatë të mundshëm për kryetar të Prizrenit. Mytaher Haskuka është thënë që do t’i hyjë garës për të marrë edhe një mandat, po ashtu edhe Drita Millaku nga LVV-ja ka vetëshpallur kandidaturën e saj për kryetare të Prizrenit. Këtë ajo e bëri të ditur pak javë më parë përmes një postimi në Facebook.

“Në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës para organeve të Lëvizjes dhe para aktivistëve dua të paraqes kandidaturën time për kryetare të komunës së Prizrenit. E dua Prizrenin, çdo rrugicë, çdo lagje, çdo fshat e çdo skaj të tij. Jetoj çdo ditë pranë historisë, harmonisë, kulturës e traditës së këtij qyteti historik”, kishte shkruar Millaku.

Në garë për kryetar të Prizrenit, do të jetë edhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës. Javë më parë Totaj tha se pritet të bëhet edhe zyrtarizmi i kandidaturës së tij për të parin e Prizrenit.

“Pritet zyrtarizmi i kandidaturës, pasi të bëhet zyrtarizmi mandej e konfirmojmë. Pritet brenda prillit që të fillohet të konfirmohen disa kandidatë”, ishte shprehur Totaj.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si kandidatë të mundshëm për kryetar të Prizrenit janë përfolur Driton Selmanaj dhe Anton Quni, ndonëse ende nuk ka asgjë zyrtare.

Quni i pyetur nga Telegrafi se a do të jetë kandidatë për kryetar të Prizrenit, ka thënë se kjo çështje do të diskutohet në të ardhmen. “Është temë e cila do të hapet në të ardhmen”, ka thënë shkurt Quni. Telegrafi ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

Garës për kryetar të Prizrenit, është raportuar se do t’i hyjë edhe Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate. Berisha ka thënë për Telegrafin se do të kandidoj për kryetar të Prizrenit, sepse e ka obligim moral.

“Po, veç kam filluar përgatitjet sepse ndjej një obligim për t’ia kthyer dinjitetin qytetit të Prizrenit i cili është degraduar shumë keq nga qeverisja e Mytes dhe LVV-së”, ka deklaruar Berisha.

Telegrafi ka provuar të kontaktoj edhe me Berishën por i njëjti nuk është përgjigjur. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është bërë ende e ditur se kush do të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit.

Telegrafi më poshtë ua sjell profilet e kandidatëve të mundshëm për kryetar të Prizrenit:

Mytaher Haskuka ka lindur më 12 Tetor 1973 në Prizren. Gradën doktor i shkencave të psikologjisë sociale e ka fituar në Universitetin “Ludëig Maximilian” në Mynih të Gjermanisë, drejtimi kryesor në Shkenca Psikologjike dhe drejtimi dytësor në Shkenca Politike. Studimet post-diplomike master i ka kryer gjatë viteve 1998 – 2001 në Universitetin Bogazici në Stamboll, në drejtimin Psikologji Sociale, Metodat e Hulumtimit në shkenca sociale dhe Statistikë e Avancuar. Studimet universitare po ashtu i ka përfunduar në Universitetin Bogazici në Stamboll, në departamentin e shkencave shoqërore si bachelor i psikologjisë.

Prej vitit 2003 ligjëron si profesor asistent në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës për: Metodat e Hulumtimit Deskriptiv, Metodat Hulumtuese Eksperimentale, Statistikë, Metodat Hulumtuese të Avancuara dhe po ashtu deri në vitin 2014 ka qenë udhëheqës i ekipit për Hulumtime, Politika, Çështje Gjinore dhe Komunikim në UNDP-Kosovë.

Ai ka punuar në shumë hulumtime zhvillimore dhe analiza të ligjeve dhe politikave. Ndër raportet më të rëndësishme në të cilat ka punuar janë Raportet e Zhvillimit Njerëzor.

Mytaher Haskuka është zgjedhur dy herë deputet në Kuvendin e Kosovës. Gjatë mandatit të parë ai ka qenë edhe anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Përveç gjuhës amtare shqipe, Mytaheri flet atë angleze, turke, serbo-kroate- boshnjake dhe maqedone. Ai është i martuar dhe i ka dy fëmijë.

Drita Millaku u lind më 31 gusht 1971 në Prizren. Ka përfunduar studimet bazike si dhe ato master në Fakultetin Filologjik në Prishtinë.

Nga viti 2003 ka punuar në Bibliotekën Ndërkomunale në Prizren. Ka qenë asambleiste në Kuvendin Komunal të Prizrenit nga radhët e Lëvizjes nga viti 2013 deri në vitin 2017.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës. Përgjatë asaj legjislature, Drita Millaku ka qenë anëtare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Është e martuar dhe ka dy fëmijë.

Anton Quni  ishte ministër i Ministrisë së Mbrojtjes në Qeverinë që e udhëhoqi Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti në koalicion me LDK-në dhe në Qeverinë pasuese që e udhëhoqi Avdullah Hoti.

I lindur më 09.06.1967 në qytetin e Gjakovës, Anton Quni e ka kryer Akademinë Ushtarake në Kroaci, derisa pos gjuhës amtare, e flet edhe gjuhën angleze e serbo-kroate. Pas përfundimit të studimeve në Kroaci, ai ishte angazhuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke marrë pjesë në atë që njihet si njëra nga betejat me të mëdha, “Beteja e Kosharës”.

Pas përfundimit të luftës, Quni ishte angazhuar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), e më vonë edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, pas transformimit të saj në vitin 2008. Pas kësaj Quni e kishte lënë ushtrinë për ta vazhduar karrierën politike aktivisht në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke garuar në zgjedhje për postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Ai e kishte marrë besimin e qytetarëve në disa palë zgjedhje parlamentare duke përfaqësuar votuesit e tij në organin më të lartë ligjvënës të shtetit. Herën e parë kur kishte garuar në listën e kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës deputetë, i kishte marrë 11 mijë e 851 vota.

Votën e qytetarëve, Quni e kishte kërkuar sërish në vitin 2014, ku e kishte rritur mbështetjen ndaj tij. Votat për të ishin dyfishuar. Në ato zgjedhje, Quni kishte marrë 24 mijë e 317 vota. Mandatin e tretë Quni e kishte fituar edhe në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017, pas prishjes së koalicionit PDK-LDK. Në ato zgjedhje Quni kishte marrë 28 mijë 623 vota.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Anton Quni doli edhe më i votuar se sa në tri mandatet e kaluara. Ai mori 31 mijë e 731 vota.

Driton Selmanaj lindi më 3 shtator 1979. Driton Selmanaj ishte aktivist i shoqërisë civile dhe për disa vite kishte punuar në organizatën KDI, e cila bënë monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës. Selmanaj ishte opinonist në debate televizive në Kosovë.

Në vitin 2017 Driton Selmanaj i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës. Selmanaj është deputet i Kuvendit të Kosovës në tri legjislatura, dhe së fundmi ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti në vitin 2020.

Shaqir Totaj ishte menaxher i degës së ATK-së në Prizren, pozitë të cilën e ushtroi prej vitesh. Si bartës i kësaj pozite, Totaj ka ndjekur një program prestigjioz trajnimi në vitin 2009-2010 në Universitetin e Uashingtonit të mbështetur nga Ambasada amerikane me temën “Menaxhmenti dhe lidershipi në sektorin publik”.

Në këtë fushë, Totaj është certifikuar edhe si ekspert ndërkombëtar për performancë në administratën tatimore nga FMN-ja në Uashington në vitin 2015. Totaj nuk është i angazhuar për vite të tëra vetëm profesionalisht. Në Prizren, e njohin edhe si një aktivist i sportit ku nga viti 2011 ishte Kryetar i klubit të basketbollit Bashkimi në Prizren. Ndërsa nga viti 2013 ai ishte edhe nënkryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Nga prilli i vitit 2019 kryetar i degës së PDK-së në Prizren.  Nga shkurti i vitit 2020 nënkryetar i PDK-së në nivel qendror.

Zafir Berisha u lind më 16 janar 1968 në fshatin Billushë të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prizren, ndërsa shkollimin e lartë në Gjakovë. Në fillim të viteve 90-ta ishte koha kur në skenën publike të Kosovës kishin lindur disa subjekte politike dhe në anën tjetër edhe me shumë u shtronte nevoja për organizim të mirëfillt të ilegalës, Zafiri, formalisht ishte aktivist i Partisë Parlamentare ndërsa në anën tjetër angazhimi i tij kryesorë ishte i përqëndruar në forcimin e lëvizjes popullore dhe bashkimin e të gjithë veprimtarëve te ilegalës për një organizim ushtarak.

Zafir Berisha ishte pjesëtar i UÇK-së në kohën e luftës në vitet 1998-1999. Berisha, dy mandate në vitin 2000 /2007 ishte Këshilltarë në Asamblenë e qytetit të Prizrenit, ndërsa ne vitin 2007/2010 u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës , ishte pjesë e legjislaturës e cila shpalli Shtetin e Pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008.

Zafir Berisha, ishte nga themeluesit e PDK-së në Prizren, për shumë vite anëtarë i Kryesisë së Degës, sekretar dhe 5 vite edhe kryetar i saj. Për kohën sa e ka udhëhequr këtë subjekt politik, është shquar për udhëheqje transparente dhe në shërbim të interesave të qytetarëve të Prizrenit. Nën udhëheqjen e tij, në vitin 2007 PDK-ja, arrin t’i fitojë zgjedhjet për pushtetin vendor, të bëhet partia e parë dhe të qeverisë me komunën. Aktualisht Berisha është pjesë e Nisma Socilademokrate. /Telegrafi/