16-04-2021

Zhgënjehen mësimdhënësit – Nuk u dalin në llogari nga 100 euro por nga 85 euro

Ditën e djeshme mësimdhënësit e Kosovës e kanë pritur me padurim, pasi shpresonin se në llogaritë e tyre do të dalin edhe nga 100 euro më shumë. Mirëpo, kjo nuk ndodhi, atyre shteti u “hëngri” nga 15 euro. Mësimdhënësit e Kosovës këtë muaj kanë marrë pak më shumë para se zakonisht.Kjo pasi që atyre u kanë dalë shtesat, të cilat ishin shumë të kërkuara nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, shkruan FaktePlus.

Mirëpo, nuk i dolën në bankë paratë që u ishin premtuar.Mësimdhënësit dje u kanë dalë në bankë nga 85 euro, pasi nga 15 euro u janë ndalur si tatim.Një ndalesë të tillë e konfirmojnë edhe nga Ministrisë e Financave. Nga ky institucion thonë se shtesat për mësimdhënësit janë aplikuar mbi pagën bazë.

Ndërkaq, sipas MF kontributi pensional prej 5% është mbuluar nga buxheti i Kosovës.
“ Shtesa në page prej 100 euro sipas Vendimit të Qeverisë 08/65 (pika 1), është aplikuar mbi pagën bazë (pagën e rregullt) dhe është tatimuar si e ardhur personale, sipas legjislacionit për të ardhurat personale. Pra, se bashku me pagën e muajit shkurt. Ndërsa Kontributi pensional (5%) i punëdhënësit është mbuluar nga Buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për FaktePlus.Gjatë ditës së djeshme Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencave e Kosovës e ka treguar se mësimdhënësit i kanë marrë shtesat, por nuk ka treguar se a u kanë dalë në bankë nga 100 apo nga 85 euro.

“Mësimdhënësit për muajin shkurt i kanë marr nga 100 euro shtesë, ashtu siç ka qenë e planifikuar nga marrëveshja me Qeverinë Hoti”, ka konfirmuar Ymeri.Sipas tij, presin që edhe për muajin mars të paguhet kjo shtesë.“Ashtu siç është paraparë në Rimëkëmbje Ekonomike, shtesat janë për dy muaj, pra për shkurt dhe mars. Presim që edhe në muajin pasues të dalin këto shtesa”, tha ai.Kujtojmë se Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në janar ka arritur marrëveshje me përfaqësuesin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj për kontratën kolektive.Në kontratën kolektive sipas marrëveshje është paraparë që të paguhet edhe paga e 13-të për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, duke filluar nga viti 2023.Tutje në janar, qeveria në detyrë pati marrë vendim që për shkak të orëve të shtuara të punës së arsimtarëve gjatë pandemisë, do t’iu bëhen dy pagesa shtesë në pagë.

Asnjë koment

Comments are closed.