Zhur: Vidhen tre krerë bagëti edhe të një fermeri të vyeshëm
Rexhep Memaj, me shumë mund e kishte ngritur një stallë me familjarët e tij duke ruajtur 11 krerë bagëti.
Mirëpo, nga mbrëmë, stallës së tij do t’i mungojnë disa bagëti, pasi hajnat ia kishin vjedhur ato. Ai tregon se mëngjesin e sotëm ata kanë kuptuar për vjedhjen e bagëtive, dhe se hajnat në mënyrë perfide ia kanë dalur që të marrin nga stalla një lopë, një mëshqerrë dhe një dëm.
Ai thotë se tashmë me rastin ka filluar të merret policia, ndërsa dëmi i shkaktuar është mbi 4 mijë euro, raportoi Televizoni i Prizrenit, Fermeri Memaj, thotë se do të kërkojë nga institucionet kompensim të dëmit, mirëpo sipas tij, është shumë e rëndësishme që të zbulohen autorët e vjedhjes së bagëtive, pasi në zonën e Zhurit kjo dukuri është shumë e përhapur, duke dëmtuar shumë fermerë të kësaj ane.
Ndryshe, në Zhur dhe fshatrat përreth dukuria e vjedhjes së bagëtive është e pranishme prej shumë kohësh, ndërsa identifikimi dhe zbulimi i keqbërësve nga organet përkatëse lënë shumë për të dëshiruar.