Zjarret, mërgimtarët dhe dasmat, tema diskutimi në KKSB-në e Suharekës
Parandalimi i zjarrit në sezonin veror, pushimi i mërgimtarëve, respektimi i tyre dhe mbarëvajtja e dasmave në këtë sezon ishin disa nga çështje të cilat janë diskutuar, sot në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)
Takimin e ka udhëhequr nënkryetarja e Komunës, Mihrije Suka e cila u shpreh se duhet gatishmëri në situata të tilla, dhe se komuna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit e komunës tonë do të jenë në dispozicion çdo herë, në të mirë të qytetarëve.
Temë tjetër me rëndësi për këtë takim, në rend dite ishte edhe Qasja e personave me nevoja të veçanta në hapësirat dhe objektet publike komunale, që të bëhen pjerrësirat adekuate për këtë kategori qytetare.
Në njoftimin për opinion, thuhet se gjatë takimit është diskutuar edhe për të shtënat me armë zjarri në sezonin e dasmave, ku të gjithë ranë dakord që policia të jetë më aktive në këtë aspekt që të bëhet parandalimi i këtyre rasteve.
Po ashtu është diskutuar edhe për prishjen e qetësisë nga lokalet në qytet, sidomos në orët e vona të natës, ku qytetarët janë ankuar për këtë dukuri. Përfaqësuesi i Policisë u shpreh se pjesëtarët e saj janë vazhdimisht në teren lidhur me këtë shqetësim, ndërsa premtoi angazhim edhe më të madh.