24-11-2024

Zyrapi thotë se komandantët e zonave merrnin veprime të pakoordinuara me Shtabin e Përgjithshëm

Dëshmitari Bslim Zyrapi, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues e përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe tha se ishte problem për Shtabin e Përgjithshëm për fakti se komandantët e zonave ndëmerrnin veprime pa koordinim dhe këshillim prej këtij organi gjatë 1998-s.

Një prej rasteve të tilla, dëshmitari tha se është edhe rasti në Fshatin e Ri (Ballaqefc) në mihjen sipërfaqësore ku pretendohet se ishin ndaluar disa minatorë serbë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Edhe sulmi që është bërë në Ballaqefc është bërë pa lejen e shtabit dhe pa dritën e gjelbër të drejtorisë operative. Ka ndodhur, nuk e di a ishte gushti a cili muaj që është bërë sulmi në Ballaqefc në mihjen sipërfaqësore ku komanda e zonës nuk ka kërku një pëlqim për një veprim të tillë”, tha dëshmitari duke shtuar se kishte edhe raste të tjera por që nuk i kujtohen.

Gjatë pyetjeve të gjyqtarit Barthe, dëshmitari pohoi se Gjykata Ushtarake u krijua për të trajtuar çështjen e kolaboracionistëve. Më pas ai u pyet se a e dini ndonjë rast që kjo gjykatë ka trajtu çështje të civilëve dhe jo vetën të ushtarëve të UÇK-së.

“Atë duhet ta din Sokol Dobruna se unë nuk jam marrë me atë çështje. Çka kam mujtë kam jep këshillat e mija dhe mbështetje për mbarëvajtjen dhe sigurinë por nuk e di. Nuk kam pas kompetencë për atë punë”, tha Zyrapi.

Pas kësaj, dëshmitari u pyet se si ka pasur mundësi Azem Syla që ta mbikëqyrë sektorin juridik të Shtabit të Përgjithshëm kur pjesën më të madhe të kohës ai ishte në Shqipëri e po ashtu kur Dobruna nuk ishte i disponueshëm për këtë punë.

“Zëvendësit. Zëvendësit punojnë dhe e mbikëqyrin këtë sektor. Të dy (Jakup Krasniqi dhe Sokol Bashota) e kanë pasur, po më shumë ka qenë zëvendës Jakup Krasniqi”, tha dëshmitari Zyrapi.

Dëshmitari tha se përgjegjës për drejtorinë e Policisë Ushtarake konkretisht pas formimit të saj ka qenë Fatmir Limaj. Ai shtoi së më herët nuk ka figuruar kjo drejtori dhe se Famir Limaj ka qenë drejtori i parë.

“Para se të bëhej drejtor i drejtorisë së Policisë ushtarake ka qenë komandant i Brigadës 121”, tha tutje Zyrapi për Limajn.

Më pas, Ben Emmerson i cili është avokat në ekipin mbrojtës të Veselit kërkoi që të flas për një çështje pa praninë e dëshmitarit.

Pas kësaj, dëshmitari u kthye në sallën e gjyqit për të iu përgjigjur pyetjeve sqaruese të gjyqtarit Barthe lidhur me rolin  e Thaçit, njësisë speciale të UÇK-së etj. të cilat veçse ishin diskutuar më herët në sallën e gjyqit.

Dëshmitari Zyrapi ka përfunduar dëshminë e tij për ditën e sotme për të vazhduar edhe nesër.

Ndryshe, Ben Emmerson kërkoi për veprimet që synohen të merren gjatë kësaj jave në sallën e gjyqit për çka kryegjyqtari Charles Smith III tha se shpresojnë që të përfundojnë këtë javë me këtë dëshmitar.

Ndonëse, në seancën e se enjtes, dëshmitari është paraparë të dëshmojë vetëm deri në ora 11:00, Smith III tha se Zyrapi i ka thënë që mund të qëndrojë edhe pas pushimit të orës 11:00 për të vazhduar me dëshminë nëse kjo do i ndihmonte procesit dhe përfundimit të dëshmisë së tij aty.

 

Asnjë koment

Comments are closed.