15-07-2024

Zyrapi thotë se Thaçi nuk ka pasur rol në mbikëqyrjen punës së Gjykatës Ushtarake

Dëshmitari Bislim Zyrapi para gjykatores në Hagë, mohoi që Hashim Thaçi të ketë pasur rol në mbikëqyrjen e punës së Gjykatës Ushtarake.
“Sa më kujtohet mua jo. S’ka pas mundësi në atë kohë”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Më pas, Zyrapi u pyet nëse ka pasur juristë të tjerë që mund të emëroheshin në Gjykatën Ushtarake përveç Sokol Dobrunës.

“Nuk e di, e di që edhe një sa më kujtohet ka qenë Agron më duket Berisha. Kanë qenë edhe hala të tjerë po nuk e di. Nuk jam marrë me atë çështje që të di se kush ka qenë e sa kanë qenë”, shtoi Zyrapi.

Sipas avokatit Luka Mishetiq, dëshmitari i kishte thënë ZPS-së se të gjitha çështjet që kishin të bënin me disiplinën dhe respektimin e urdhrave në dhjetor të ’98-ës i kishin kaluar Sokol Dobrunës si shef i Drejtorisë Ligjore.

“Po, e saktë është”, tha dëshmitari dhe theksoi se ai kishte edhe detyrën e ekzaminimit të veprave të rënda penale, ndërsa masat disiplinore i përkisnin komandantëve të zonave.

Dëshmitari deklaroi se për vepra të rënda penale e kishte fjalën për arrestimin e civilëve, maltretimin e tyre dhe gjithashtu nëse ndonjë ushtar ose komandant e kishte shkelur rregullin duke përdorur armën, në veçanti në pikat e kontrollit ose kishte shkelur urdhëresat e eprorit të tyre.

Gjithashtu për arrestimin e civilëve ai pohoi se nuk ishte çështje që merrej komandanti i zonave, por Sokol Dobruna.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një dokument lidhur me një ankesë në dhjetor të ’98-ës për një ushtar i cili ishte dënuar. Dëshmitari tha se këtë dokument nuk e kishte parë më herët edhe pse e mbante emrin e tij, por që nënshkrimi i tij nuk figuronte. Madje, ai shtoi se nuk e mban mend asnjëherë të ketë nënshkruar dokument të tillë.

“Sa e mbaj mend, asnjëherë!”, tha ai, kurse mohoi të ketë pasur rol në ekzaminimin e ankesave të dënimeve nga ana e Gjykatës Ushtarake.

“Nëse ndonjë ankesë ka ardhë kah unë, atëherë e kam drejtuar në sektorin juridik dhe pastaj është marrë sektori juridik”, tha Zyrapi dhe shtoi se nuk është jurist me profesion.

Këtë drejtim shkollimi sa i takon aspektit juridik, dëshmitari tha se e ka pasur edhe Fatmir Limaj. Gjithashtu, deklaroi se Policia Ushtarake ishte e obliguar që të respektonte urdhrat që dilnin nga sektori juridik dhe kishte kompetencën që të zbatonte urdhrin e Sokol Dobrunës për të arrestuar ndonjë person.

Zyrapi pohoi se për ZPS-në kishte thënë se Policia Ushtarake ishte ndarë në dy grupe, ajo në nivel Shtabi si dhe ajo në nivel zone. Për Policinë Ushtarake në nivel zone tha se i kanë raportuar komandantit të zonës.

Më kaq, përfundoi për sot dëshmia e këtij dëshmitari për ta vazhduar sërish një ditë tjetër. Seanca do të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarit të 76-të, i cili mban kodin W04445.

Asnjë koment

Comments are closed.