27-07-2024

“Zyrtarët e ATK-së ia njohën 23 fatura fiktive me vlerë 18 milionë euro”- detaje nga dosja e Prokurorisë për biznesmenin Pulaj

Prokuroria themelore në Prishtinë ka njoftuar për arrestimin e biznesmenit Feim Pulajt dhe 12 zyrtarëve të Administratës Tatimore të Kosovës. Pulaj është arrestuar nën dyshimin për evazion fiskal, ndërkaq 12 zyrtarët e ATK-së për “mashtrim në detyrë”.

Në njoftimin e Prokurorisë tregohet se si zyrtarë të AKP-së ia kanë njohur 23 fatura fiktive si të rregullta me vlerë prej 18 milionë eurosh për ndërtimin e një hoteli, i cili veçse ka qenë i ndërtuar, shkruan Gazeta Insajderi.

Prokuroria tutje njofton se është në kërkim të dy biznesmenëve B.B. dhe B.B., pronarë të një biznesi në Podujevë, që po dyshohen për vepra penale “dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “shmangie nga tatimi”.

“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion eurokinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilë janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Andaj, B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milion euro”, vijon njoftimi.

“Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara tek i pandehuri F.M janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale”.

Prokuroria në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.

 

Asnjë koment

Comments are closed.