24-11-2024

Zyrtarët e studentët e UPZ-së thonë se nuk do ta pranojnë vendimin për mos-akreditim

Asnjë fakultet nga gjashtë sa ka Universiteti i Prizrenit, nuk është akredituar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Lajmi i ka dëshpëruar studentët aktualë dhe ata që kishin synuar të studiojnë këtu, raporton KTV.

Nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit shpresojnë që vendimi duhet të rishikohet, ndonëse janë kritikë për mënyrën se si ka funksionuar ky institucion deri tash.

Zyrtarë të këtij Universiteti thonë se një vendim i tillë është i papranueshëm, duke theksuar se draft-raporti i ekspertëve ndërkombëtarë është pozitiv për këtë institucion.

Shemsi Morina, Prorektor për mësimdhënie në Universitetin e Prizrenit, thotë se vendimin ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht, duke shtuar se në momentin që do ta pranojnë, do ta shfrytëzojnë të drejtën për ankesë.

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, funksionon që nga viti 2010 dhe aktualisht ka rreth 17 mijë studentë.

Shumë kritika kishte pasur për të dhe universitetet tjera publike që shumica ishin hapur në kohë fushatash e kishin punësuar militantë partiakë e familjarë të zyrtarëve shtetërorë.

Asnjë koment

Comments are closed.