25-04-2024

Zyrtarët komunal të Mamushës kërkojnë hudhjen e aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare

 Dy të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Cafer Morina dhe Rifat Krasniq kanë kërkuar të hudhet poshtë aktakuza ndaj tyre.

Ata akuzohen se në cilësinë e personit zyrtar, Cafer Morina, drejtori i arsimit në Mamushë, dhe i akuzuari i dytë Rifat Krasniq në cilësinë e drejtorit të shkollës “Ataturk”  duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim që të shkelin qëllimisht të drejtat e personit tjetër Ramadan Shanli, duke mos zbatuar qëllimisht ligjin e punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e shqyrtimit të dytë që është mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, të akuzuarit Morina dhe Krasniq, përmes mbrojtësve të tyre, avokatëve Fatmir Jelliqi dhe Naim Kurtishi, kanë kërkuar që aktakuza ndaj tyre të hudhet si e pabazuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Morina, avokati Fatmir Jëlliqi, tha se me 18 shkurt 2021, ka dorëzuar me shkrim kërkesën për hudhjen dhe kundërshtimin e provave, i njëjti deklaroi se qëndron në tersi pranë të njëjtës parashtresë.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Krasniq, avokati Naim Kurtishi, tha se qëndron në tersi pranë parashtresës të dorëzuar në gjykatë më 19 shkurtit 2021, për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Nga ana tjetër,  prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka kërkuar që aktakuza të pranohet pasi që ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe gjatë shqyrtimit kryesor dhe administrimit të provave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve.

Ai ka kërkuar nga gjykata që propozimet e mbrojtësve të akuzuarve për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të refuzohen dhe të caktohet shqyrtimin kryesor në afat të paraparë ligjor.

Pas kësaj gjykatësi Xheladin Osmani, ka thënë se për kërkesën e palëve do të marrë vendim të veçantë brenda afatit ligjor.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, thuhet se në periudhën kohore 01.11.2030, 23.11.2020 në kohë të pacaktuar në Mamushë i akuzuari i parë i Cafer Morina në cilësinë e personit zyrtar, drejtori i arsimit në Mamushë, dhe i akuzuari i dytë Rifat Krasniq në cilësinë e drejtorit të shkollës “Ataturk”  duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim që të shkelin qëllimisht të drejtat e personit tjetër Ramadan Shanli, duke mos zbatuar qëllimisht ligjin e punës, në një mënyrë të tillë që të pandehurit të krijojnë marrëdhënie pune me mësuesit Kenan Morina dhe Fahri Morina në shkollën e mesme  “Ataturk” dhe i akuzuari i parë Cafer Morina krijojnë marrëdhënie pune në shkollën fillore, “Anadolu” me mësuesin Hysni Qabrati dhe shkollën “Yhejde Hanem” me mësuesin Shakit Mazrek pa kryer procedura konkurrimi dhe në shkelje të plotë të ligjit të punës.

Me këto veprime Cafer Morina dhe dhe Rifat Krasniq akuzohen se në bashkëkryerje kanë krye kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.