Zyrtarët prizrenas demantojnë të ketë pasur padrejtësi gjatë ndarjes së materialit ndërtimor
Zyrtarët lokal të Prizrenit, kanë demantuar deklarimet e përfaqësuesve të komuniteti RAE, të cilët kanë thënë se janë injoruar gjatë ndarjes së materialit ndërtimor nga komuna, transmeton ‘gazetaeprizrenit.net’.
Drejtori komunal për Mirëqenie sociale, Fejzë Kabashi, ka thënë se të gjithë aplikuesit trajtohen plotësisht të barabartë dhe se komisioni i vlerësimit dhe poentimit ka kryer punën duke u bazuar plotësisht në ligjin për programe të veçanta të banimit dhe udhëzimin që del nga ky ligj.
“Në udhëzimin, të cilin e ka pasur në dorë çdo aplikues derisa komisioni ishte në shtëpitë e tyre është e precizuar saktë se cilat janë kategoritë dhe për secilën nga këto kategorizime ka nënvlerësime, që saktë e kanë të caktuar edhe numrin e poenave që merr aplikuesi nëpër secilën gjendje familjare që ka”, tha ai, përcjell ‘gazetaeprizrenit.net’.
Kabashi, tha se aty nuk është as një rresht i vetëm që poenton ose favorizon një grup apo tjetër shoqëror.
“Nuk ka as një poenë të caktuar për këto pretendime. Komisionet kanë vepruar me këtë bazë ligjore dhe do veprojnë sa të ekzistoj ky ligj që i trajton këto programe”, ka thënë ai.