05-08-2020

1.000 testet nga Serbia, u kontrabanduan me veturë të shefit të zyrës serbe në Prishtinë

1 mijë testet për Koronavirus, që kanë ardhur si donacion nga Serbia në Kosovë, kanë kaluar kufirin pa iu nënshtruar asnjë procedure doganore, shkruan Gazeta Insajderi.

Përveç testeve, as zyrtari ndërlidhës i Beogradit Dejan Paviceviq, nuk i është nënshtruar procedurave doganore, i cili në veturën e tij kishte këtë donacion për Kosovën.

  • Këto teste dhe pse janë të liruara nga dogana, sipas ligjit doganor duhet patjetër t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit të produktit që të dihet se çfarë përmbajtje ka. E nëse kjo nuk bëhet atëherë ajo llogaritet si kontrabandë.

    Gazeta Insajderi, merr vesh se më datën 16.04.2020 në ora 18:00 në Jarinje ka dalë nga Kosova zyrtari ndërlidhës i Beogradit Dejan Paviceviq. Ai është kthyer në ora 18:18 dhe nuk i është nënshtruar asnjë procedure doganore sepse ka qenë në përcjellje të Policisë së Kosovës të cilët e kanë sjellë në Prishtinë.

    “Në automjet i njëjti ka pasur 1000 teste nga Serbia. Sipas ligjit edhe pse ato lirohen nga dogana doemos duhet t’i nënshtrohen procedurave, në të kundërtën llogaritet kontrabandë, sipas ligjit doganor”, ka sqaruar për Gazetën Insajderi, një zyrtar doganor në pikën kufitare.

    Gazeta Insajderi, ka kontaktuar me zëdhënësin e Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci në lidhje me këtë skandal, mirëpo ai nuk është përgjigjur.

    Ndërkohë, që në Kosovë, hyrja e këtyre testeve nuk po pritet shumë mirë. Ani pse, kryeministri i shkarkuar Albin Kurti, ka thënë se ky ishte një gjest i mirë nga Serbia.

    “Ishte një gjest i mirë nga Serbia. Me ato teste nuk do të testohen vetëm qytetarët serb”, kishte thënë Kurti./ Insajderi.com

    Asnjë koment

    Comments are closed.