Arrestohet hajni i shumëkërkuar për grabitjen në Prizren, dërgohet në burg
Njëri nga katër të dënuarit për grabitjen e armatosur më 12 qershor 2022, në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren, pas një kohe qëndrim në arrati, tashmë ka rënë në duart e shtetit. I shumëkërkuari Gzim Pulaj, i dënuar me rreth 4 vjet burgim, ishte shpallur në kërkim në bazë të tri urdhërarresteve, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Pulaj është arrestuar në rrugën “Bajram Curri”, pas asistimit të disa njësive policore, përfshirë NJRSH dhe nga Antidroga.
Fillimisht është lokalizuar vendndodhja e tij dhe më pas Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar që aksioni të përfundojnë me sukses – dhe si rezultat Pulaj u prangos në shtëpinë e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, ai është dërguar në vuajtje të dënimit.
Sipas burimeve të Sinjalit, Pulaj kërkohej për dy raste të grabitjeve dhe për vjedhje të rëndë.
Pulaj dhe tre të akuzuarit e tjerë janë shpallur fajtor më 5 shtator të vitit 2022 nga Gjykata Themelore në Prizren, e cila e ka dënuar secilin për rastin e grabitjes, vepër kjo që e kanë kryer në bashkëkryerje dhe kanë arritur që të kapin qindra euro nga marketi.
Ky aktgjykim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit me 10 shkurt të vitit 2023.
Lajmi është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’rast është bërë e ditur se Pulaj ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim dhe gjobë prej 2 mijë eurove, por i njëjti është arratisur.

Gzim Pulaj dhe tre të akuzuarit e tjerë Luan Bytyqi, Sefer Krasniqi dhe Drilon Saramati kanë qëndruar nën masën e paraburgimit prej 15 korrikut 2022, kur u kapën pas një muaji në arrati e deri më 05 shtator 2022.
Saramati është dënuar po ashtu me burgim, “në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do të llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 15.07.2022 deri më datën 05.09.2022 dhe dënim unik me gjobë në lartësi prej 2,500 € (dy mijë euro).”
Dënim me burgim është shqiptuar edhe ndaj Krasniqit, i cili është dënuar me 3 vjet e gjashtë muaj burgim, “në të cilin dënim do të llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 15.07.2022 deri më datën 05.09.2022 dhe dënim me gjobë në lartësi prej 2000 € (dy mijë euro).”
Edhe ndaj Luan Bytyqit, për veprën penale “Grabitje”, të kryer në bashkëkryerje, Gjykata kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj dhe dënim me gjobë në lartësi prej 2000 €.