31-07-2026

Falsifikuan dokumente për toka me vlerë 1.5 milionë euro, detaje nga arrestimi i tre personave

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprat penale “bashkëkryerje”, “ndihmë”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”.

Sipas njoftimit të Policisë, hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

   

Policia ka bërë të ditur se ka siguruar prova dhe informacione që dyshojnë se tre persona, meshkuj kosovarë, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme zyrtare.

“Tre persona të dyshuar meshkuj kosovarë dyshohet se kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, si pasaporta, letërnjoftime, certifikata etj., me ç’rast dyshohet se i kanë përdorur si dokumente të vërteta”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas autoriteteve, dokumentet e falsifikuara dyshohet se janë përdorur për të tentuar shitblerje të kundërligjshme të tokave, me qëllim përfitimi financiar.

“Të dyshuarit me dokumentet e falsifikuara kanë tentuar që në mënyrë të kundërligjshme të bëjnë shitblerje të tokave, me qëllim që të përfitojnë shumën prej 1 milion e 550 mijë euro”, ka njoftuar Policia.

Tre të dyshuarit janë intervistuar më 30 korrik 2026 në cilësinë e personave të dyshuar, në prezencë të avokatëve mbrojtës.

Pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa njëri është liruar dhe do të hetohet në procedurë të rregullt.

“Dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, ndërsa njëri prej tyre me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Asnjë koment

Comments are closed.