24-08-2026

Çfarë përmbajnë në të vërtetë qoftet dhe qebapët? Analizat laboratorike zbulojnë mashtrimin e madh

Qoftet dhe qebapët mbeten ndër ushqimet më të preferuara të fast-food-it për shumë qytetarë. Pavarësisht se çmimi i një porcioni ka pësuar rritje të ndjeshme viteve të fundit, ato vazhdojnë të konsumohen rregullisht, duke besuar se po marrin mish cilësor. Megjithatë, kërkimet shkencore ngrenë alarmin.

Sipas një hulumtimi shkencor, përbërja reale e qebapëve dhe qofteve në një numër të konsiderueshëm rastesh nuk përputhet fare me atë që deklarohet në ambalazh apo në ofertën e restoranteve.

Analiza e 35 mostrave me metodën e ADN-së (PCR)
Në vitin 2022, shkencëtarët nga Universiteti i Shkencave Mjedisore dhe Biologjike në Wrocław të Polonisë analizuan gjithsej 35 mostra qebapësh dhe qoftesh të blera në restorante dhe pika të ushqimit të shpejtë (fast-food). Prej tyre, 31 mostra u morën në Poloni dhe 4 në Gjermani.

Studiuesit përdorën metodën gjenetike PCR për të verifikuar nëse në mish gjendej ADN e deles (qingjit), pulës, gjedhit apo derrit, duke e kufizuar analizën pikërisht në këto katër lloje kafshësh.

Rezultatet ishin befasuese dhe treguan devijime serioze

Vetëm 28% e produkteve të analizuara përmbanin ekskluzivisht vetëm atë lloj mishi që ishte i shënuar në deklaratë.

Në plot 60% të mostrave u zbulua mish i llojeve të tjera të kafshëve, qoftë si zëvendësim i plotë apo si shtesë e padeklaruar.

Përveç përzierjes së mishrave, në shumë mostra u gjetën sasi të konsiderueshme dhjami (tlyeni), soje dhe kripe.

Mishi i qingjit zëvendësohet me mish më të lirë, alarm për praninë e mishit të derrit

Një nga gjetjet më problematike kishte të bënte me produktet që reklamoheshin si mish qingji/deleje:

 

Mishi i qingjit, i cili reklamohej si përbërës kryesor, në disa raste ishte zëvendësuar me mish pule pa u shënuar fare në përbërje. Disa produkte kishin mish pule ose lope, ndërsa në disa mostra mishi i qingjit mungonte plotësisht.

Shqetësim edhe më i madh ishte zbulimi i mishit të derrit në tre mostra të qebapëve të deklaruar si qingj – çka përbën një problem serioz etik dhe fetar për personat që nuk e konsumojnë mishin e derrit për arsye besimi apo tradite kulturore.

Për sa u përket produkteve të pulës, situata ishte disi më e mirë: shumica përputheshin me deklaratën, me vetëm një përjashtim ku përveç pulës u gjet edhe mish gjedhi.

Të dhëna alarmante edhe nga Britania e Madhe: Produkte me gati 2000 kalori
Edhe pse studimi i vitit 2022 reflekton mostrat e marra në Poloni dhe Gjermani (dhe nuk mund të përgjithësohet automatikisht për të gjithë Europën), probleme të ngjashme janë regjistruar më herët edhe në Britaninë e Madhe.

 

 

Në një analizë të kryer në vitin 2009 në Britani mbi 494 qebapë dhe qofte nga 76 zona të ndryshme.

40% e produkteve ishin të deklaruara gabimisht.

35% përmbanin mish të specieve që nuk figuronin në listën e përbërësve.

Në 6 raste u zbulua mish derri i padeklaruar.

Përveç përbërjes mashtruese, hulumtimi britanik nxori në pah edhe rrezikun e lartë ushqyes.

Disa qebapë arrinin deri në 1.990 kalori për një racion të vetëm, që përbën rreth 95% të nevojës ditore për kalori për një femër.

Disa mostra përmbanin 346% të sasisë ditore të rekomanduar të yndyrave të ngopura.

Sasitë e kripës arrinin deri në 277% të normës së rekomanduar ditore.

Rreziqet përtej mishit: Yndyrë, kripë, aditivë dhe higjienë
Ekspertët theksojnë se mashtrimi me etiketën e mishit nuk është i vetmi rrezik. Ushqimet e këtij lloji nëpër restorante dhe fast-food shpesh përmbajnë sasi të larta kripe, yndyre dhe aditivë apo konservues të ndryshëm.

Gjithashtu, kujdes i veçantë kërkohet edhe për mënyrën e përgatitjes: mishi që piqet në hell mund të ngrohet disa herë gjatë shërbimit, gjë që, nëse nuk trajtohet në mënyrë korrekte dhe higjienike, rrit rrezikun e kontaminimit bakterial.

Studiuesit nënvizojnë se këto të dhëna nuk nënkuptojnë që çdo qebap apo qofte në treg është problematike, por dëshmojnë qartë se diferenca mes asaj që lexojmë në menu dhe asaj që konsumojmë në të vërtetë mund të jetë shumë e madhe. /KI

 

Asnjë koment

Comments are closed.