27-04-2024

140 vjet histori e sfidë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (foto)

Nesër shënohet 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP), njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Lidhja ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, pas kohës së Skënderbeut.

 

Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët  thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e  Shqipërisë.

 

Ky objekt që është emblemë e shqiptarisë, ndërsa Prizreni edhe e ka të faktuar në logon e komunës, prej vitesh ishte halë në sy për regjimin serb, ndërsa kulminacionin e arriti me djegien e muzeut e më pas fshirjen e gjurmëve, duke e pastruar vendin,  të  cilin e kthyen në vend të mbjellur me lule, shkruan “gazetaeprizrenit.net”.

Parim Kosova, historian dhe përgjegjës i LSHP-së,  lidhur me djegien e muzeut ka shkruar se më 27 mars 1999,  rreth orës  20 e 50 minuta, kriminelët serbë me dy predha tromblloni e kanë goditur katin përdhes të Muzeut.  “Shpirti i madh i kulturës dhe i historisë sonë kombëtare po i bënte sfidë terrorit barbar serb”.

Sipas tij, kriminelët u rikthyen edhe një herë te Kompleksi historik, ndërsa brenda objektit u dëgjuan dy eksplodime të njëpasnjëshme, kurse eksplodimi i tretë ishte edhe më i fuqishëm,  andaj Muzeu, së bashku me eksponatet filloi të digjet.

Banorët e kësaj lagjeje edhe sot i përkujtojnë me dhimbje të madhe ato momente rrëqethëse. “…Nuk u dogj vetëm një pjesë e historisë, por edhe një pjesë e shpirtit tonë… Me këtë akt u provua të zhduken dokumentet dhe eksponatet të selisë së Shtetit të parë shqiptar të kohës moderne”,  thonë ata.

Bashkim Gashi,  ish-sekretar i Këshillit për të drejtat e njeriut në Prizren,  duke kujtuar momentet se si e kishte përjetuar aktin e djegies thotë: “kur e pashë Shtëpinë e Lidhjes të djegur mendova se serbët kanë vendosur të zhdukin çdo gjë shqiptare. Ndjeva dhembje për eksponatet e djegura, të cilat nuk mund të zëvendësohen, ky është një ndër krimet më të rënda ndaj trashëgimisë sonë historike”.

 

Ai thotë se pasi ka marrë disa informata nga fqinjët ka përpiluar raportin lidhur më këtë vepër makabër.

Kadri Kryeziu, ish-kryetar i Komunës së Prizrenit, pas çlirimit thotë se në mbledhjen e Këshillit Komunal të Prizrenit, u mor vendimi për rindërtimin e Shtëpisë së LSHP-së, e cila u ndërtua me një afat rekord.

 

Më 28 nëntor 1999, u bë inaugurimi i Shtëpisë së rindërtuar, ku në ceremoni mori pjesë një numër i madh i personaliteteve politike, kulturore dhe qytetarëve nga mbarë trojet shqiptare, që kremtuan 28 Nëntorin e parë në Kosovën, tashmë të lirë.

Në mesin e personalitete që morën pjesë ishte edhe Joseph DioGuardi, përfaqësues i lobit të shqiptarëve në SHBA.

 

Rindërtimi i Muezut të LSHP-së u bë nga donacionet e afaristëve, për çka Kryeziu flet me admirim. “Isha jashtëzakonisht i nderuar që arrita për një kohë të shkurtër ta rindërtoj këtë monument kulturo-historik”, shprehet ai. /gazetaeprizrenit.net/

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.