22-11-2024

141 vjet histori e sfidë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Sot shënohet 141-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP), njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Lidhja ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, pas kohës së Skënderbeut.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (LSHP) është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ajo ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, pas kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Ky objekt që është emblemë e shqiptarisë, ndërsa Prizreni e ka të faktuar edhe në logon e komunës, prej vitesh ishte halë në sy për regjimin serb, ndërsa kulminacionin e arriti me djegien e muzeut më 27 mars 1999,  e më pas fshirjen e gjurmëve, duke e pastruar vendin,  të  cilin e kthyen në vend të mbjellë me lule, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Parim Kosova, historian dhe përgjegjës i LSHP-së,  lidhur me djegien e muzeut ka shkruar se, “Shpirti i madh i kulturës dhe i historisë sonë kombëtare po i bënte sfidë terrorit barbar serb”.

Banorët e kësaj lagjeje edhe sot i përkujtojnë me dhimbje të madhe ato momente rrëqethëse. “…Nuk u dogj vetëm një pjesë e historisë, por edhe një pjesë e shpirtit tonë… Me këtë akt u provua të zhduken dokumentet dhe eksponatet të selisë së Shtetit të parë shqiptar të kohës moderne”,  thonë ata.

Inaugurimi i Shtëpisë së rindërtuar u bë më 28 nëntor 1999, ku në ceremoni mori pjesë një numër i madh i personaliteteve politike, kulturore dhe qytetarëve nga mbarë trojet shqiptare, që kremtuan 28 Nëntorin e parë në Kosovën, tashmë të lirë.

Në mesin e personalitete që morën pjesë ishte edhe Joseph DioGuardi, përfaqësues i lobit të shqiptarëve në SHBA.

Ish- Prefekti i Prizrenit, Kadri Kryeziu, tregon se rindërtimi i Muezut të LSHP-së u bë nga donacionet e afaristëve.

Duke pasur parasysh vlerën e madhe historike dhe kombëtare të Kompleksit të LSHP-së, pas angazhimit të menjëhershëm dhe hartimit të projekteve u meremetua Galeria e Arteve Figurative, njëkohësisht me sukses u bë edhe rekonstruksioni i Muzeut. Për nder të 122-vjetorit të LSHP-së, më 10 qershor 2000, u bë edhe rihapja e Muzeut Historik.

Përgjegjësi i Kompleksit, P. Kosova në korrik të vitit 2002, në Zyrën e Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi në Prishtinë,  bëri padinë për djegien e Lidhjes së Prizrenit, por që deri tash nuk është marrë parasysh. Kallëzimi penal është bërë ndaj 11 personave,  që dogjën dhe shkatërruan monumentin më të çmuar të shqiptarëve. Pos argumenteve tjera, Zyrës në fjalë i është dorëzuar edhe një kasetë e videos, në të cilën është incizuar largimi i gërmadhave të Muzeut me ekskavator, më 30.03.1999.

“Në rastin e paraqitjes së padisë për gjenocid ndaj Serbisë duhet të jetë edhe ky kallëzim penal, ndërsa pjesë e shumë dëshmive janë edhe fotot e atyre pjesëtarëve të formacioneve serbe që kryen aktin kriminal”, shprehet Kosova.

Ndërkaq, Muzeu i LSHP-së ka ushtruar kallëzim penal në prokurorinë e Qarkut në Prizren, kundër Zoran Gariçit, ish-drejtorit të dhunshëm të Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore në Prizren.

Në 18-vjetorin e djegies, në Kompleksin Monumental ishte hapur ekspozita e autorit Parim Kosova, ku nëpërmjet fotografive tregohej djegia e këtij kompleksi nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë. Projekti pasqyronte Muzeun Historik të LSHP-së, eksponatet e djegura si dhe si dhe shkatërrimin e shtatoreve që kanë qenë të vendosura në oborrin e Kompleksit të LSHP-së.

Në vitin 2018, në vargun e aktiviteteve me rastin e Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kontekstin e shënimit të 28 Nëntorit, sipas projektit të Qeverisë së Kosovës në hapësirën e Kompleksit u rivendosen shtatoret e tre liderëve historikë, Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit.

Pos udhëheqësve më të lartë shtetëror nga Kosova e Shqipëria, në ceremoninë  e organizuar morën pjesë dhe ata shqiptarë nga Maqedonia.

Për fat të keq, sot e kësaj dite askush nga kriminelët e “mesjetës” moderne nuk është dënuar për aktin e djegies së rezidencës së Qeverisë së përkohshme shqiptare, pra Muzeut të Lidhjes. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.