28 vjeçari që vdiq sonte në aksidentin në magjistralen Gjakovë-Prizren nga fshati Zojz i Prizrenit
Besmir Grulaj nga fshati Zojz i Prizrenit, është i riu i cili humbi jetën sonte, si pasojë e një aksidenti që ndodhi rreth orës 19:40, në rrugën Prizren – Gjakovë, saktësisht në afërsi të fshatit Piranë.
Në aksidentin si shkak i të cilit vdiq Besmiri ishin të përfshira tri automjete: një veturë, një kamionetë dhe një traktor.
Në këtë aksident mbetën të lënduar edhe tre persona të tjerë, njëri prej të cilëve, sipas policisë, është në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Një aksident ka ndodhur sonte rreth orës 19:40 në rrugën Prizren – Gjakovë, në afërsi të fshatit Piranë. Në aksident ka mbetur i vdekur një person, i moshës së re, ndërsa janë lënduar edhe tre persona. Të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Prizrenit. Njëri nga ta është në gjendje më të rëndë shëndetësore”, tha për Gazetën Sinjali, Shaban Osmanollaj, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit.
Po ashtu, mësohet se vetura e cila drejtohej nga tani i ndjeri e ka goditur traktorin i cili kishte rimorkion e ngarkuar me ushqim bagëtish.