05-10-2024

20 vjet nga Beteja e Jeshkovës

Sot u mbushën 20 vjet nga Beteja e Jeshkovës, njëra ndër më të ashprat dhe lavdishmet e UÇK-së, ku në ballafaqim me armikun nën shoqërimin edhe të këngës heroike, më 11 mars 1999, në altarin e lirisë ranë nëntë dëshmorë, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Pas urdhrit të dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që njësiti special i Brigadës 125, të shkojë në Jeshkovë, pas analizimit të gjendjes, nga komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut (ZOP),  Ekrem Rexha-Komandant Drini dhe komandanti i Brigadës 125, Nehat Basha, më 3 mars njësiti ishte nisur për në Jeshkovë.

Në përvjetorin e parë të shënuar në vitin 1999, menjëherë pas çlirimit, Komandant Drini në një manifestim në Vrri, kujtoi se “sipas planit luftarak të ZOP ishte domosdo që Vrrini prapë të aktivizohet, në mënyrë që të hapej korridori me Shqipërinë,  që të futeshin ushtarët dhe armatimi, ndërsa më vonë parashihej edhe aktivizimi i planeve operative për çlirimin e Prizrenit”.

Njësiti special numëronte 29 pjesëtarë, ndërsa atij iu bashkuan edhe 11 qytetarë, pra gjithsej 40 vetë. Një ditë pas nisjes nga Retia, më 4 mars ata kanë mbërritur në Jeshkovë. Të prirë nga komandanti i njësisë Hysen Rexhepi, e ndihmuar edhe nga Samidin Xhezairi-Hoxha, kishte nisur organizimi, ndërkohë që situatën e vëzhgonte misioni i OSBE-së me seli në Prizren.

Memorial of death2.jpg (15817 bytes)

Ish-komandanti i Brigadës 125 të UÇK-së, Nehat Basha kujton se pasi kishin kuptuar rrethimin e madh nga forcat serbe, njësiti special ishte ndarë në grupe të vogla nga 5-6 vetë nëpër pozicione të ndryshme në Jeshkovë,  për ta çarë rrethimin.

Forcat serbe që përmes Hoçës së Qytetit kishin rrethuar Jeshkovën, mëngjesin e 11 marsit 1999, në ora 8:00 të mëngjesit kishin filluar luftimet. Granatimet nga njësiti tankist serb, pos nga drejtimi Hoçës së Qytetit, bëheshin edhe nga ai i Malësisë së Vrrinit (ish-Lybeqevë) dhe Kushtrimi (ish-Billusha).

Ushtarët e lirisë kishin nisur betejën e pabarabartë, kundër rreth 3 mijë trupave serbe, në luftime që zhvilloheshin edhe me granata dore, madje një distancë deri në 10-15 metra. Luftimet kishin zgjatur deri në orën 16:00, kur njësitet e divizionet serb të turpëruara ishin tërhequr. Në një shkrim për luftimet, duke ju referuar burimeve të asaj kohe, Nehat Basha, shkruan se nga Spitali i Prizrenit kishte informacione për shtimin e numrit të ushtarëve serbë të vrarë.

Në fushëbetejë ranë nëntë ushtarë të UÇK-së: Hysen Rexhepi (1973), Ymridin Çengaj (1959), Alajdin Xhezairi (1974), Bashkim Sukaj (1979), Skënder Latifi (1970), Hajdar Shala (1977), Feriz Susuri (1969), Hamit Thaçi (1970) dhe Tahir Gashi (1977).

Duke kujtuar luftimet e zhvilluara, Komandant Drini (ekziston video-xhirimi), në përvjetorin e parë të lirisë, kujtoi moralin e lartë dhe trimërinë e Hysen Rexhepit dhe trimave të tjerë, të cilët kanë treguar heroizëm të pashoq, madje duke kënduar, dhe se nuk janë tërhequr por kanë luftuar deri në fund, përkundër që kishin ditur për rrethimin, duke nënshkruar kësisoj pavdekësinë e tyre.

Atë ditë, po ashtu pa gjurmë u zhdukën edhe Ymer Shala nga Jeshkova, Nuridin e Ilmi Shala, pastaj Shahadin Gashi nga Kushtrimi, Rexhep Buduri dhe Femi Shala nga Hoça e Qytetit, Musli Gashi nga Atmaxha, Faik Begaj nga Banja e Malishevës, pastaj Besnik Kastrati nga Arbana, ndërsa në Malësi të Vërrinit, Bali Avdaj dhe Shemsedin Shala nga Kushtendili.

Varrimi i dëshmorëve të rënë u bë me nderime të larta ushtarake më 17 mars, në fshatin Pagarushë të Malishevës. Pas luftës, më 15 shtator 1999 u bë rivarrimi i tyre në varrezat e dëshmorëve të kombit në Landovicë të Prizrenit. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.