26-04-2024

20 vjet nga masakra e forcave serbe në Lugishtë të Hasit

Sot mbushen 20 vjet nga masakra në Lugishtë të Hasit. Banorët e kësaj ane thonë se nuk do të harrojnë kurrë tmerrin që shkaktuan forcat ushtarake serbe, pasi përpos grave vranë e masakruan edhe fëmijë të pafajshëm, vetëm pse ishin shqiptarë, derisa të mbijetuarit i detyruan të hanë bari, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Lugishta është ndër fshatrat më të dëmtuara gjatë luftës jo vetëm në komunën e Prizrenit, por edhe në vend. Gjatë fushatës së intervenimit të NATO-s mbi caqet e regjimit të Milosheviqit, në pranverë të vitit 1999,  forcat serbe vranë 46 banorë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, derisa popullata tjetër dhunshëm ishte larguar për në Shqipëri. Këtu janë vrarë edhe disa banorë të fshatrave përreth, sikur ata të Lagjes së Shehut, të cilët ishin strehuar në këtë fshat.

Njëri nga dëshmitarët e masakrës në këtë fshat, Shkëlzen Nerjovaj, ka treguar se banorët e këtij fshati dhe të rrethinës nuk kanë si ta harrojnë tmerrin që përjetuan gjatë luftës, ndërsa dhembja e malli për më të dashurit e masakruar do të jetojnë, përderisa të ekzistojnë fëmijët që mbetën jetim dhe familjarët e atyre që pësuan.

“Militarët serbë, në vendin ‘Del ujt’ aty mbi fshat ku ishin strehuar disa banorë me familje, pasi na rrethuan në mëngjes, në njërën anë ndanë gratë, e në tjetrën meshkujt mbi 15 vjet dhe pas rreshtimit afër një përroske qëlluan me breshëri pa dallim duke vrarë edhe fëmijë e gra”, ka treguar ai.

Një dëshmitar tjetër i masakrës, Sejaldin Gigollaj kujton se ata që mbijetuan i detyruan të shtrihen dhe hanin bar, duke kënduar  me zë të lartë këngë çetnike, si “Kush po thotë e gënjen se Serbia është e vogël” (serb= Ko to kaze, ko to laze da su Srbija mala).

“Për ta vërtetuar nëse po vepronin sipas urdhrave të tyre për të ngrënë bar, me thika ua hapnin gojën”, ka kujtuar me emocione ai, përcjell portali “Gazeta e Prizrenit”.

Lugishta ishte një rrugë, nëpër të cilën kaluan edhe shumë ushtarë dhe eprorë të UÇK-së, që shfrytëzuan këtë anë si korridor për futjen e armatimit nga Shqipëria në Kosovë. Misionit të shenjtë për lirinë e vendit ju bashkuan edhe shumë djem të kësaj ane, tetë prej të cilëve ranë dëshmorë duke luftuar në vise të ndryshme.

Në fund të marsit 1999, forcat serbe fillimisht dogjën shkollën, ndërsa më pas dogjën tërësisht edhe fshatin e Dervish Salihut, që ndodhet rrëze maleve të Pashtrikut në rripin kufitar me Shqipërinë.

Në shënimin e 11 vjetorit të masakrës, financuar nga Komuna e Prizrenit, në Lugishtë është ndërtuar Kompleksi Memorial kushtuar 8 dëshmorëve dhe 47 martirëve të këtushëm.

Ish-mësuesi dhe veprimtari i fshatit, Latif Muçaj, tregon se gjaku i banorëve të këtij që tash kanë vetëm emrin të martirizuar këputi lakun, që pat mbërthyer një okupator klasik që bëri gjenocid të paparë në këtë anë etnikisht të pastër.

“Pa prindër e pa ngrohtësinë atërore janë rritur jetimët, që sot po u thurin vargje lavdie për veprën e paraardhësve të tyre”, shprehet ai, derisa kujton kolegë dhe ish-nxënës të pafajshëm të vrarë.

Islam Osmankaj, kujton se nëpërmjet granatimeve fshati ishte zbrazur, ndërsa përkundër mungesës së armatimit disa djem u mobilizuan për mbrojtjen e pragut të shtëpisë.

“Okupatori me një makineri të rëndë ushtarake dhe me paramilitarë u fut në fshat. Aty pashë se vërtet bëhet fjalë për një tiran, që filluan të djegin dhe vrasin pa kursyer as kafshët shtëpiake. Deri në mbrëmje u dogj i tërë fshati, duke shndërruar në një gërmadhë ku asgjë nuk frymonte”, kujton ai.

Nga dora barbare u vranë mësuesi Qerim Gigollaj (me djalë e nip) e Selman Osmankaj, disa anëtarë të familjes Muçaj-Shehve, të familjes Gigollaj, Kajdomçaj, asaj Nerjovaj, dhe të tjerë.

Në altarin e lirisë ra për t’u përjetësuar dëshmori Besim Parallangaj.

Shumica e të zhdukurve janë gjetur të masakruar në varreza masive në Has dhe pas identifikimit në shtator të vitit 1999 janë varrosur në varrezat e dëshmorëve e martirëve në këtë fshat.

Sipas shënimeve të komisionit për vlerësimin e dëmeve të luftës, nga afro 300 shtëpi sa kishte fshati, pa u djegur kishin  mbetur vetëm 13 dhoma. Forcat serbe po ashtu nuk kursyen as objektet fetare, tyrbet.

Në shenjë të përjetësimit të kësaj ngjarje, sot në Lugishtë të Hasit vihet gurëthemeli i Kullës Muze.

Qazim Morina

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.