Përparim Thaçi është dëshmori i parë, që ra në rajonin e Prizrenit, pas daljes në skenë të UÇK-së. Ai u vra në moshën 22 vjeçare, në një pusi nga forcat serbe, në orët e para të datës 27 maj 1998 ndërmjet fshatrave Fortesë (ish Bella Cërkë) e Xërxë, në një rrugë që kalon nëpër ara, afër Sillosit, në kohën kur po kryente detyrat e ushtarit të UÇK-së, në kuadër Shtabit të Drenocit. Bashkë me të ranë edhe dëshmorët: Feim Gashi dhe Sakip Bellaqa, shkruan “Gazeta e Prizrenit.net”.
Përparimi ishte i angazhuar në disa fusha. Ai e deshi librin, topin dhe pushkën. Si nxënës në Arbanë ishte zellshëm, ndërsa në sezonin 1997/1998, që futbollist i Lirisë, ku shquhej për talent dhe disiplinë. Dallohej me cilësitë për të shënuar gol dhe ngritur ritmin e lojës, si dhe duke bërë kthesa pozitive për ekipin.
I edukuar në frymë kombëtare, me daljen në skenë të UÇK-së, bashkë me disa të rinj, formoi celulat e para për Anadrini e më pas edhe Shtabin e Drenocit, që vepronte në kuadër të Zonës së Pashtrikut. Babai i tij, Aliu ka thënë se angazhimin në radhët e UÇK-së, ai nuk e kishte bërë publike. “Vijonte ushtrimet në klub dhe mbrëmjeve të vona shkonte siç thoshte, në shëtitje me shokët, pa lënë anash dhe mësimin” kishte rrëfyer i ati.
Vepronte në konspiracion të madh si pjesëtar i UÇK-së -së, pasi në të njëjtën kohë vazhdonte stërvitjet me bashkëlojtarët, në stadiumin e Lirisë (në lagjen Arbana) si dhe studimet.
Ish-drejtori i “Lirisë” Ramadan Susuri, kujton një moment kur gjatë një stërvitjeje, Përparimi kishte thënë sikur t’i kishte disa xhupa të këtilla (jakne kundër shiut që mbanin futbollistët) do t’i hynin shumë në punë, po pa treguar se për çfarë i duheshin (sigurisht për t’ua dërguar shokëve të njësitit nëpër male).
Si absolvent i gjuhës angleze në SHLP “Xhevdet Doda” në Prizren merrte pjesë në protestat e organizuara kundër regjimit serb, nga ana e Unionit të Pavarur të Studentëve (UPS) të SHLP-së, që vazhdoi veprimtarinë patriotike si në rrafshin kulturor ashtu edhe luftarak, pas dëbimit të studentëve shqiptarë prej objekteve shkollore e universitare.
Mbante kontakte me grupin e UPS-së, ku bënin pjesë: Leonorë Morina, Jehonë Krasniqi, Behare Tafallari, Nijazi Kryeziu, vëllezërit Haqif e Sherif Ilazi, Bilbil Duraku, Defrim Rifaj dhe Sejdi Bellanica, të cilët u arrestuan me 23 maj, katër ditë para se të vritej Përparimi. Ai kishte shpëtuar rastësisht nga kthetrat e policisë, tek ish-selia e UPS-së, afër stacionit të autobusëve. Të arrestuarit ishin gëzuar që ai kishte mbetur i lirë, por që më vonë ishin pikëlluar, pasi jo vetëm që liria e tij nuk zgjati, por ai ishte vrarë, derisa ata ndodheshin prapa grilave.
Por, si e kuptuan ish-studentët e burgosur lajmin për vrasjen e tij. Haqif Ilazi, kujton se në kohën sa ishin në Burgun e Prizrenit, kishin një vizitë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Këtu ishte bërë një gabim i qëllimshëm apo lëshim profesional nga zyrtarët e burgut, meqë ata nuk mund të takoheshin, për shkak se ishin nën hetime. “Njëherë u gëzuam shumë meqë po shiheshim pas një kohe të gjatë, por më pas u mërzitëm, kur kuptuam që Përparimi ishte vrarë”.
Sejdi Bellanica, kujton se lajmin e kishte mësuar nga familjarët e tij, gjatë vizitës në burg. Duke menduar se të gjithë kishin njohuri, në takim i ishte drejtuar Bylbyl Durakut, për ta pyetur nëse atij i është dhimbsur Përparimi, meqë ata ishin shokë dhe kishin edhe lidhje familjare. Pas kësaj Duraku ishte shtangur derisa kishte thënë se lajmin po e dëgjonte për herë të parë. Ai ka thënë se për vdekjen kishte dëgjuar pas 3 muajsh.
Varrimi i Përparimit është bërë një ditë pas vrasjes me nderime të larta ushtarake, në Drenoc, ku edhe vepronte shtabi, themelues i të cilit ishte. Pas çlirimit eshtrat e tij janë rivarrosur në vendlindjen e tij, në Landovicë në varrezat e dëshmorëve të kombit.
Menjëherë pas lufte, në nderim të veprës së tij, ish-Prefekti i Prizrenit, Kadri Kryeziu, me vendim të veçantë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, stadiumit të qytetit ia vuri emrin e dëshmorit, Përparim Thaçi.
Veprimet e shumanshme të tij, që kulmuan me gatishmërinë për t’u inkuadruar në celulat e para të UÇK-së, atëherë kur pak kush dinte e besonte për këtë organizim, për fuqizimin e të cilit ai edhe shkoi në përjetësi./GazetaePrizrenit.net/